Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë arritur në përfundimin se operativët kinezë kanë ndihmuar në përhapjen e mesazheve të rreme se administrata e Presidentit Trump po planifikonte të vendoste një masë të detyrushme kufizuese në mbarë vendin kundër përhapjes së koronavirusit, sipas gazetës New York Times.
Gazeta thotë se mesazhet, të cilat u shfaqën për herë të parë në sms-të e telefonave celularë dhe në mediat sociale, në të cilat thuhej se Presidenti Donald Trump do të njoftonte masat kufizuese sapo trupat të ishin në gjendje gatishmërie “për të ndihmuar në parandalimin e hajdutëve dhe trazirave”. Mesazhet u bënë aq të përhapura gjatë dy ditëve pasuese sa që Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë u detyrua të dilte me një njoftim në Twitter duke i shpallur ato të rreme.
Gazeta e bazoi raportin e saj në informacione nga gjashtë zyrtarë amerikanë nga gjashtë agjenci të ndryshme që nuk pranuan të zbulonin identitetin e tyre. Dy nga zyrtarët thanë se ata besonin se mesazhet nuk ishin krijuar nga operativë kinezë, por në vend të kësaj ata i kishin amplifikuar mesazhet ekzistuese.
Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë angazhuar në një luftë informacioni mbi atë se kush është fajtor për pandeminë e COVID-19.
Presidenti Trump në të kaluarën e ka etiketuar sëmundjen si “virus kinez”, duke iu referuar faktit se virusi u zbulua për herë të parë në qytetin kinez të Wuhanit në fund të vitit të kaluar, ndërsa zyrtarë të tjerë amerikanë kanë akuzuar Pekinin për mungesë transparence në fillim të shpërthimit të koronavirusit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian kishte akuzuar ushtrinë amerikane për transportimin e virusit në Wuhan, në një postim në Twitter muajin e kaluar. Zyrtarët amerikanë hodhën poshtë pretendimin e tij./VOA
Top Channel