Lombardia, 20 mijë teste të antitrupave në ditë!

23/04/2020 17:36

Pothuajse gjysma e të gjithë personave që kanë ndërruar jetë nga koronavirusi në Europë kanë qenë nëpër azile pleqsh, tha drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Europë, Hans Kluge.

Kluge pohoi në një konferencë për shtyp se  “ka të dhëna shqetësuese” për ata që jetojnë në azile të tilla.“ Sipas shifrave të ofruara nga shtetet europiane, gati gjysma e viktimave ishin banorë të shtëpive të kujdesit. Kjo është një tragjedi njerëzore e paimagjinueshme”, deklaroi mes të tjerash ai. Mbi 110,000 vetë kanë vdekur në Europë nga koronavirusi, dhe në këto shtatë ditët e fundit, vdekjet janë rritur me gati një të tretën. Italia sakaq ka nisur kryerjen e testeve të antitrupave në Lombardi, rajoni më i goditur nga Covid 19.

Autoritetet e shëndetësore shpresojnë që informacionet e mbledhura nga këto teste do të shërbejnë si udhëzues për hapat që do të merren në vazhdim, teksa autoritetet vendase po lëvizin drejt zbutjes së masave të izolimit. Në Lombardi, do të kryhen rreth 20,000 teste të tilla në ditë.

Të parët që do të testohen do të jenë punonjësit e shëndetësisë, të pasuar prej atyre që tregojnë simptoma të sëmundjes dhe më tej prej personave që kanë qenë në kontakt me individë që kanë shfaqur simptoma të buta. Studimet e fundit, si ai i kryer në prill nga Instituti Pasteur në Francë, kanë dalë në përfundimin se arritja e të ashtuquajturit “ imunitet i tufës” është më i vështirë të arrihet nga sa besohej deri tani, ndërsa nga ana tjetër nga Kina, Japonia dhe Italia kanë mbërritur informacione për pacientë që e kishin kaluar sëmundjen, dhe janë infektuar sërish. Si pasojë e këtij virusi deri më tani në gjithë botën janë infektuar mbi 2.6 milionë persona derisa mbi 180,000 kanë vdekur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA