“Do ta kemi në fund të prillit një vendim final për mbylljen e vitit shkollor. Po shohim me kujdes situatën dhe po presim një vendim nga Task Forca për koronavirusin nëse mund të kthehemi nëpër shkolla apo jo.
Sido që të jetë, ne i kemi të gjithë skenarët gati: si në rastin që kthehemi në shkolla apo nëse nuk kthehemi në shkolla, dhe do të zbatojmë njërin nga këta skenarë”, është shprehur Ministrja Besa Shahini përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetin e saj social në lidhje me mbylljen e vitit shkollor teksa ka adresuar edhe çështje të tjera të ardhura nga maturantët apo studentët.
Për sa i përket pyetjes së maturantëve se kur do të botohen programet e reja orientuese për maturën, ajo ka nënvizuar se ata do të botohen në të njëjtën datë kur të merret vendimi për mbylljen e vitit shkollor, për të cilat thekson se nuk do të përmbajnë tema që nuk janë zhvilluar në shkollë.
Edhe studentët janë interesuar për mënyrën se si do të mbyllet viti akademik. Për këtë, ajo shprehet në video-mesazh si vijon:
“Studentët kanë një fleksibilitet të shtuar për shkak se provimet i kanë në korrik (zakonisht është një periudhë provimesh). Ne po punojmë shumë ngushtë me rektorët, dekanët, shefat e departamenteve që të shohim se çfarë kanë planifikuar universitetet e ndryshme për mbylljen e vitit akademik. Ne po koordinojmë punët me ta, po i orientojmë në mënyrën më të mirë të mundshme, por në fund të ditës vendimmarrja është e universitetit. Sido që të jetë, besoj që në fund të prillit do të marrim një vendim të përbashkët për mbylljen e vitit akademik”.
Ministrja Shahini i është përgjigjur edhe interesit të atyre maturantëve që duan të aplikojnë për studime jashtë vendit duke sqaruar se: “Plani ynë që është që ta mbyllim vitin shkollor në kohë, në qershor, ashtu siç ishte planifikuar fillimisht dhe të mos kemi pengesa për nxënësit që duan të aplikojnë për studime jashtë vendit”.
Në fund të video-mesazhit, Shahini nënvizon se: “Për maturantët kemi përgatitur një pako të veçantë, sepse është edhe grupmosha më e rëndësishme ngaqë mbyll arsimin parauniversitar dhe fillojnë punën apo i bashkangjiten universiteteve.
Tek kjo pako përfshihet edhe një udhëzues për mësuesit se në çfarë forme të punojnë me maturantët. Pra, në muajin maj, ashtu siç ju kam premtuar, pjesa kryesore e punës me maturantët do të jetë e përqendruar tek përsëritjet e leksioneve dhe temave të ndryshme që nevojiten për maturën, si dhe mbylljen e vlerësimeve në shkollë”.
Top Channel