A ka një Sfinks të dytë nën Piramidën e Gizës? Çfarë tregojnë studimet dhe pse kjo teori po vihet në dyshim
Pas një sëmundje të rëndë, të dielën më 19 prill, ndrroi jetë në Boston, në moshën 86 vjeçare, Frederik Gjerasi, një nga figurat e shquara të intelektualëve shqiptarë. Ndarja e tij nga jeta, la në pikëllim bashkëshorten Doloresa, djemtë Agronin dhe Pirron, nipërit dhe mbesën, vëllezrit, motrat, të afërmit si dhe shokët e miqtë e tij të shumtë.
Lindi më 10 shtator të vitit 1933 në Elbasan, në një familje patriote e arsimdashëse. Ai kaloi vite të fëmijërisë në Shmil të Elbasanit ku i ati ishte mësuesi i parë i fshatit dhe krahinës. Frederiku mbaroi me medalje Shkollën e Mesme Pedagogjike të Elbasanit dhe më pas studjoi për ekonomi politike në Universitetin “Shevçenko” të Kievit dhe në Universitetin “Lomonosov” të Moskës ku u diplomua në vitin1957. Gjatë viteve studentore ai punoi si spiker në Radio “Moska” dhe më pas në disa prej dokumentarëve të Kinostudios ‘Shqipëria e Re’ në vitet ’60. E folura dhe diksioni i tij i veçantë e kumbues, do të kujtohen gjithmonë me nostalgji nga dëgjuesit e kohës.
Mbas kthimit në Atdhe, Frederiku shërbeu me përkushtim në detyra të rëndësishme të jetës sociale e politike të atyre viteve. si në aparatin e Komitetit Qëndror, shef katedre në Shkollën e Partisë,etj.
Ai ishte përkthyes i delegacionit shqiptar kryesuar nga Enver Hoxha në mbledhjen e 81 partive komuniste në Moskë në nëntor të vitit 1960, ku Shqipëria u shkëput nga kampi socialist – një nga momentet kyçe të historisë shqiptare të pasluftes. Frederiku është autor i librit “Drama Shqiptaro-Ruse” botuar në vitin 2016 në të cilin ai përcjell me vërtetësi përjetimet e tij personale prej protagonisti me dritëhijet dhe ulje-ngritjet e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Frederiku punoi si pedagog i jashtëm në Fakultetin Ekonomik të Tiranës duke merituar titullin “Docent” për librat e tij në fushën e ekonomisë politike. Në vitin 1974, pas debateve me Fiqrete Shehun për një botim të tij, u përjashtua nga partia për pikëpamje liberale dhe u transferua në kooperativën bujqësore të Mollasit në Elbasan. Aty punoi ekonomist për mëse 8 vjet, duke fituar respektin dhe dashurinë e njerëzve të thjeshtë të fshatit. Më pas punoi në Institutin e Metalurgjisë dhe së fundi në Institutin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan,si shef i katedrës së filozofisë deri në vitin 1991 kur u shkëput përfundimisht nga kariera profesionale.
Që prej vitit 2004 jetoi me gruan dhe djemtë e tij në Amerikë, ku mori pjesë aktive në veprimtaritë e shqiptarëve, ndiqte nga afër televizionin shqiptar, si dhe lexonte rregullisht shtypin e huaj në bibliotekën e Bostonit. Zërin e tij të ëmbël e dëgjuan edhe shqiptarët e Bostonit në një mbrëmje poetike, ku ai recitoi plot pasion poezi të Migjenit dhe të Kadaresë. Një gëzim të veçantë ndjeu ai kur djali i tij Agroni, para dy vjetësh hapi në Boston Qendrën Kulturore për të Moshuarit “Vatra”, e para qendër shqiptare e këtij lloji në Amerikë, një strehë e ngrohtë për pensionistët shqiptarë.
Të shumta ishin ngushëllimet kur morën vesh ndarjen e Frederikut nga jeta. Artan Simeqi, një nga miqtë e familjes, ndër të tjera shkruante,”Frederik Gjerasi ishte nga ata persona për të cilët nuk mund të thuhen vetëm pak fjalë. Ai besonte në idetë e tij, ide për të cilat edhe u dënua. Gëzimin dhe optimizmin për jetën, nuk e humbi deri ditën e fundit. Do ta mbajmë mend qëndrimin e tij dinjitoz, mirësinë e tij, dashurinë për familjen, për miqtë dhe shokët”.
Kujtime të bukura ka shkruar për të jatin, djali i tij Agron Gjerasi. Ato përbëjnë një shkrim më vete, por po shkëputim vetëm disa nga cilësitë e tij të permendura në këtë shkrim. “Familja, shëndeti dhe mbarëvajtja e saj, ishin të parat në listën e prioriteteve të tij. Kishte një shpirt bujar dhe i pëlqente më shumë të jepte se të merrte. Pëlqente barazinë mes njerëzve dhe këtij ideali i kushtoi jetën. Kishte dëshirë të pinte një gotë të vogël dhe të këndonte me shokët. Ishin të lindur pasioni dhe talenti I tij për spiker.Vlerësonte njëlloj si shoqërinë intelektuale, ashtu edhe atë me njerëzit e thjeshtë. Dinte të mbante veten edhe në ditët më të vështira”.
Frederikut i qëlloi të ndahet nga jeta në kohë të vështirë të Covid-19 dhe nuk iu bënë dot nderimet që meritonte. Shokët dhe miqtë e tij, nuk mundën t’i vendosin një buqetë apo kurorë me lule, por buqeta dhe kurora më e bukur është emri që la pas në kujtesën e njerëzve.
Ai u përcoll në banesën e fundit nga familjarët e tij si dhe kancelari i kishës së Shën Gjergjit, At Artur Liolini. Lamtumirë Frederik Gjerasi! Të qoftë dheu i lehtë!
Top Channel