Lideri i AAK-së ka folur rreth asaj nëse kjo parti do të votojë edhe për një mandat të presidentit të vendit vitin e ardhshëm.
Ramush Haradinaj në emisionin CLICK të RTV21 ka thënë se partia që ai drejton i ka duart e lira sa i përket votimit, duke mos dashur të shpalosë më tepër detaje nëse do të votojë pro ose kundër.
“Jemi me duar të lira kur t’i skadojë mandati presidentit Thaçi”, ka thënë ai.
Megjithatë, ish-kryeministri i vendit e konsideron më të drejtë zgjedhjen e shefit të shtetit përmes votës së popullit, pasi kjo është më e lehtë se sa të krijohet kuorumi prej ty të tretave në Kuvend, aq sa nevojiten për të siguruar një mandat të dytë pesëvjeçar për Hashim Thaçin si president.
“Jam për të ndryshuar Kushtetutën për president në mënyrë ai që të zgjidhet nga populli. Kjo do të ishte më kredibile për zgjedhjen e presidentit”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka theksuar se qeveria e ardhshme LDK-AAK-Nisma dhe pakicat nuk varet nga Lista Serbe.
“Unë nuk e shoh Kosovën të varur nga Lista Serbe dhe nuk do t’u kisha dhënë atyre shumë peshë”, ka thënë lideri i AAK-së.
Haradinaj e ka quajtur interesante qëndrimin e PDK-së për të mbetur opozitë pas votimit të mocionit të mosbesimit për shkarkimin e Qeverisë Kurti, teksa ka shtuar se nuk e di nëse partia e Kadri Veselit do të votojë qeverinë e re.
Top Channel