Komuniteti Mysliman i Shqipërisë: Të premten më 24 prill nis muaji i shenjtë i Ramazanit

20/04/2020 21:26

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka njoftuar të gjithë besimtarët myslimanë se edhe pak ditë na ndajnë nga Muaji i bekuar i Ramazanit. Dita e parë e këtij Muaj të Shenjtë është e premtja më 24 prill 2020.

Ramazani është muaji ku besimtarët myslimanë agjërojnë (ku ndërpresin ushqimin e pijen, duke filluar që nga nisja e agimit deri në perëndim të diellit.)

Më poshtë është dhe kalendari i plotë i publikuar nga KMSH me të gjitha oraret e syfyrit dhe iftarit.

Njoftimi i plotë:

Pak ditë na ndajnë nga Muaji i bekuar i Ramazanit Të gjithë myslimanët anë e mbanë botës fillojnë ditën e premte me 24 Prill 2020 muajin e bekuar të Ramazanit.

Agjërimi i Ramazanit është një nga shtyllat dhe detyrat madhore të besimit islam. Fillimi i muajit të agjërimit përcaktohet në bazë të lëvizjes së hënës, e cila për të gjithë myslimanët në çdo cep të botës përcjell një drejtësi apo një harmonizim për ta kryer sa më të plotë këtë muaj të begatë.

Ajo që e dallon këtë muaj, është agjërimi, të cilin e kryejnë njëkohësisht të gjithë besimtarët kudo që janë. Thelbi i agjërimi është të qenët urdhër i Zotit, dhe një prej pesë kushteve themelore të islamit, por bashkë me këtë ai ka një varg të madh urtësish dhe dobish për anën shpirtërore, fizike, psikologjike, socialer individin dhe shoqërinë.

Ramazani është muaji ku besimtarët myslimanë ndërpresin ushqimin e pijen, duke filluar që nga nisja e agimit deri në perëndim të diellit (nga syfyri deri në iftar); është një muaj i vlerave të larta njerëzore, morale e sociale, muaji i solidaritetit dhe bashkëpunimit, muaji dedikuar më shumë adhurimit dhe këndimit të Kuranit, muaji i sadakasë dhe i mirëbërësisë, muaji i mëshirës, virtytit dhe dhembshurisë.

Agjërimi është një shkollë që sjell një efekt pozitiv të dukshëm në qëndrimin e shoqërisë. Gjatë periudhës njëmujore të kësaj disipline shembullore ndjenjat e të pasurit zgjohen për të kontribuuar në përmirësimin e gjendjes së gjithanshme të anëtarëve të shoqërisë, që ndonëse nuk janë të një niveli force, pozite e kamje.

Kur besimtari nis agjërimin e ndjen se i bashkëngjitet të gjithë komunitetit të besimtarëve dhe realizimit të këtij obligimi në të njëjtën mënyrë dhe për motive e qëllime të njëjta. Kjo mënyrë unike agjërimi kultivon unitetin dhe barazinë në mbarë botën islame.

Përveç vlerave shpirtërore e morale, agjërimi, ka gjithashtu edhe një vlerë shoqërore shumë të madhe, atë të bashkimit të njerëzve mes tyre dhe kontributit për ata që kanë nevojë. Le të sjellë ky muaj në familjen e çdo shqiptari paqe, qetësi dhe harmoni. Zoti Fuqiplotë e begatoftë popullin, vendin dhe kombin tonë!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA