Ndërsa shtohet numri i viktimave dhe individëve të infektuar me virusin COVID-19, një lloj shprese shihet tek përdorimi i ilaçeve ekzistuese për të tajtuar pacientët e prekur nga koronavirusi. Kompania amerikane Gilead Sciences njofton se ka shtuar numrin e pacientëve që po testojnë ilaçin e saj eksperimental remdesivir, të prodhuar vite më parë për të trajtuar Ebolën. Tregu i aksioeve të kompanisë po ashtu pësori një ngritje të premten si rezultat i lajmeve të mira se ilaçi i kompanisë ka treguar rezultate premtuese gjatë testeve klinike.
Aksionet e kompanisë amerikane Gilead Sciences u rritën të premten me rreth 8 përqind pas njoftimeve që pacientët me COVID-19 të trajtuar me ilaçin e saj eskperimental, remdesivir, gjatë provave klinike treguan shërim të shpejtë nga simptomat e etheve dhe të rrugëve të frymëmarrjes. Aktualisht për koronavirusin nuk ka trajtime apo vaksina të miratuara. Njoftimet flasin për rreth 2.18 milion njerëz të infektuar në të gjithë botën. Por të dhënat e fundit mbi provat klinike të ilaçit remdesivir kanë tërhequr vëmendjen e medias dhe të investitorëve.
Analistët dhe vetë kompania kanë paralajmëruar se duhet patur kujdes në daljen e konkluzioneve. Profesori Jens Lundgren drejton përpjekjet evropiane për testimin e ilaçit remdesivir. “Është shumë i rendësishëm një bashkëpunim ndërkombëtar dhe koordinim që të studiojmë disa kandidatë dhe të dalim me përgjigje të qarta gjatë valës së parë të pandemisë që të jemi më të përgatitur për valën tjetër.” Kompania amerikane Gilead thotë duhen analizuar të gjitha të dhënat e dala nga provat klinke dhe se ekspertët duhet të raportojnë rezultatet nga studimi i pacientëve në gjendje të rëndë me COVID-19 në fund të muajit, si dhe të dhëna nga prova të tjera klinike në muajin maj.
Sipas njoftimeve, Spitali Mjekësor i Universitetit të Çikagos po shihte rikuperime të shpejta të etheve dhe simptomave të rrugëve të frymëmarrjes tek pacientët me COVID-19 në gjendje të rëndë, gjatë një testi klinik me ilaçin remdesivir. Brian Skorney, analist me kompaninë e investimeve Baird thotë se investorët duhet të kenë kujdes nga lajme të tilla që çuan në rritjen e vlerës së aksioneve të kompanisë me qendër në Kaliforni. “Investitorët ka gjasa të dalin të zhgënjyer kur të publikohen konkluzionet nga studimi i testit me pacientë me COVID-19, pasi studimi nuk ofron asnjë lloj kontrolli, vetëm trajtim pesë ditor ose dhjetë ditor të pacientëve.” Kompania Gilead po ashtu ka shtuar numrin e pacientëve që duan të jenë pjesë e provës klinike, duke arritur në shifrën 6 mijë, çfarë u ka dhënë akses më shumë pacientëve tek ilaçi remdesivir.
Top Channel