Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ia ka dërguar edhe një letër Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, ndonëse ky po i kthen përgjigje presidentit në cilësinë e kryeministrit në detyrë.
Në këtë letër të re, presidenti Thaçi ia ka bërë të ditur Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje se mosrefuzimi nga ana e tij nënkupton që ta dërgojë emrin e kandidatit/es për Kryeministër, të cilën nuk e ka bërë ende, përkundër faktit që presidenti ia ka dërguar tri kërkesa për këtë qëllim.
Në përputhje me nenin 95 të Kushtetutës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14, presidenti Thaçi edhe një herë i ka kërkuar Kurtit që ta dërgojnë emrin e kandidatit/es për Kryeministër pa humbur kohë.
“Përkundër kërkesave të dërguara më 2 prill 2020 (Ref. 354), më 10 prill 2020 (Ref. 354/1) dhe më 15 prill 2020 (Ref. 370/1), edhe në shkresën tuaj të dërguar më 17 prill 2020 (Ref. 122/2020), ju nuk keni propozuar kandidatin/en për Kryeministër, por keni theksuar se nuk jeni duke refuzuar për të propozuar kandidatin për kryeministër.
Më lejoni t’ua theksoj se mosrefuzimi nga ana juaj nënkupton që ta dërgoni emrin e kandidatit/es për Kryeministër. Por, ju nuk e keni bërë ende këtë, përkundër faktit që ua kam dërguar tri kërkesa për këtë qëllim”, ka shkruar në letrën e tij presidenti Thaçi.
Top Channel