Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, priti në një takim në Tiranë, Ministrin hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó.

Ky takim, i zhvilluar në rrethana të jashtëzakonshme, nën masa të rrepta sigurie, për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19, u fokusua në disa çështje tepër të rëndësishme.
 
Avancimi i agjendës dypalëshe politike dhe ekonomike, rrugëtimi evropian i Shqipërisë, mbështetja e Hungarisë për rindërtimin e vendit pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, si dhe bashkëpunimi konkret në luftën kundër Covid-19, ishin ndër temat e diskutuara në takim.
 
Për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë, Hungaria siguroi në mbështetje të luftës kundër COVID-19, 100.000 maska dhe 5000 kostume mbrojtëse mjekësore, me qëllim forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor në vend.
 
Pasi i shprehu mirënjohjen homologut hungarez për mbështetjen e pakursyer, Cakaj pohoi me bindje se në bashkëpunim të ngushtë e solidaritet të gjerë, kjo luftë do të ketë vetëm një epilog: fitoren përfundimtare mbi COVID-19.
 
Për më tepër, homologët gjatë takimit ndanë bindjen se vendimi i BE-së për çeljen e negociatave me Shqipërinë, megjithëse i vonuar, ishte i duhuri, pasi ky vendim është jo vetëm i rëndësishëm për thellimin e reformave të brendshme, por edhe për rritjen e besueshmërisë së Bashkimit Evropian në rajon.
 
“Shqipëria ka arritur rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme në të gjitha fushat kryesore të identifikuara në Përfundimet e Këshillit të Qershorit 2018”- u shpreh Cakaj në fjalën e mbajtur.
 
Gjithashtu, Kryediplomati siguroi se pavarësisht situatës në të cilën gjendemi, Shqipëria është e përgatitur dhe e gatshme për të kryer të gjitha detyrat teknike dhe politike, të cilat kërkohen për të avancuar më tej në procesin e negociatave, duke filluar me Konferencën e Parë Ndërqeveritare e më tej.
 
Homologët, gjatë diskutimit, u ndalën edhe tek Komisioni i Përbashkët Ekonomik Shqipëri-Hungari, i cili pritet të zhvillohet sapo situata të jetë më e favorshme, si një incentivë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA