Britania formon task-forcë për krijim të vaksinës kundër koronavirusit.
Prej disa ditësh në Mbretërinë e Bashkuar numri i viktimave të Covid-19 vijon të jetë tepër i lartë dhe sipas ekspertëve nëse në vendet e tjera kurba ka filluar të ulet, në Britani ende nuk është arritur në këtë pikë.
Së fundmi Sekretari britanik për Biznes, Alok Sharma ka njoftuar për krijimin e një “task-force për vaksinë” të drejtuar nga qeveria, e cila do të punojë në zhvillimin dhe prodhimin e vaksinave në Britani, me qëllim të luftimit të koronavirusit.
Ai ka thënë se task-forca do t’i raportojë atij dhe Ministrit të Shëndetësisë, Matt Hancock.
Ky ekip do të drejtohet nga shkencëtari, Patrick Vallance dhe shefi mjekësor, Jonathan van Tam.
Ai ka thënë së qeveria “u ka dhënë dritën e gjelbër” 21 projekteve në vlerë të 14 milionë dollarëve për të punuar në këtë drejtim.
Sipas tij zyrtarët qeveritarë mund t’i shtojnë planit ekzistues edhe 250 milionë dollarë për të krijuar vaksinën.
Megjithatë Sharma ka rikujtuar se “vaksina është proces kompleks që mund të marrë shumë muaj”.
“Nuk ka garanci, mirëpo ne jemi duke mbështetur shkencetarët, dhe jemi duke i mbështetur shumë”.
Ai më pas ka përsëritur se masat e izolimit në Britani do të vazhdojnë për të paktën tri javë ndërsa ka theksuar se duhet parë rënie “të qëndrueshme” të infektimeve dhe numrit të viktimave, para se masat të ndryshojnë.
Sipas tij, Qeveria duhet të “sigurohet” se testimet janë nën kontroll.
“Gjëja më e keqe që mund të bëjmë tani është që të lirojmë masat herët dhe të lejojmë valën e dytë të virusit”, ka shtuar ai.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Britania ka regjistruar 109,769 të infektuar dhe 14,607 të vdekur si pasojë e koronavirusit.
Top Channel