​ Akademia e Shkencave në Kosovë dhe ajo në Shqipëri me qëndrim të përbashkët rreth situatës me Covid-19

17/04/2020 19:57

Shqipëria dhe Kosova janë vënë përballë një rendi dhe forme të re komunikimi intelektual, përveç jetës së njerëzve dhe ekonomisë që janë në rrezik, është edhe shkenca, kultura dhe arti.

Kështu kanë thënë përmes një deklarate të përbashkët, Akademia e Shkencave të Kosovës, ajo e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Shqipëri.

Në qëndrimin e përbashkët të tyre, thuhet se në një mënyrë gati të padukshme dhe larg vëmendjes së opinionit, çdo vlerë shkencore e kulturore po riaktivizohet dhe po e humb peshën e vet.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Shqipëri, thonë se janë duke ndjekur me vëmendje situatën e krijuar nga pandemia e COVID-19 në gjithë botën.

“Shqipëria dhe Kosova, si gjithë të t jerët në botë, janë vënë përballë një rendi dhe forme të re komunikimi intelektual, ku të rrezikuara nuk janë vetëm jetët e njerëzve apo ekonomitë, por edhe shkenca, kultura dhe arti me gjithë përbërëset e tyre. Në një mënyrë gati të padukshme dhe larg vëmendjes së opinionit, çdo vlerë shkencore e kulturore po relativizohet, po humb peshën e vet, po humb funksionin shoqëror dhe emancipues, duke u shtyrë gjithnjë e më shumë në periferi të zhvillimeve shoqërore; po bëhet e pavërejtur dhe e panevojshme, duke u kthyer në veprimtari sekondare”, thuhet në reagimin e akademive.

Tutje thuhet se po humbet sensi kulturor i krijimit të vlerave në shkencë dhe kulturë.

“Po humbim shprehitë tona më fisnike për të konsumuar vlera shpirtërore, për t’i dhënë hapësirë krijimit dhe krijimtarisë, për të sofistikuar marrëdhëniet tona, për të ndërtuar dhe mbajtur urat e komunikimit, për të vlerësuar krijuesit dhe arritje t e tyre”, thuhet tutje në njoftim.

Akademia e Shkencave të Kosovës, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Shqipëri, tërheq vëmendjen se bashkëpunimi e komunikimi ndërkulturor e ndërshkencor nuk duhet të pësojë, sipas tyre, siç kanë pësuar gjithnjë në rrethana krizash, por duhet të intensifikohen.

“Duke e ditur dhe duke e parandier se pasojat e kësaj pandemie do të jenë afatgjata; se nuk do të mbërrijmë aq lehtë t’i sundojmë shprehitë negative të krijuara në rrethanat e luftës për mbijetesë. Duke e ditur se rrethanat e krizës ekonomike dhe shoqërore që do të vijnë më pas do të lëndojnë rëndë ndërmarrësinë kulturore, synojmë të tërheqim vëmendjen e opinionit kulturor që të qëndrojë i përbashkuar dhe të angazhohet për të mos lejuar një erozion të pritshëm intelektual, i cili do të nxirrte jashtë rrjedhave normale koherencën tonë kulturore, trashëgimi në dhe identitetin, duke zbehur qëndrueshmërinë tonë përballë integrimeve në rrjedhat europiane, përmes vlerave të konsoliduara dhe prioriteteve tona kombëtare. Qëndrimi ynë është që, ashtu siç nuk duhen pritur fatkeqësitë dhe traumat e mëdha natyrore për të kuptuar rëndësinë e shkencës, kulturës dhe ndërkomunikimit, ashtu nuk duhet lejuar që në një të ardhme të afërme ato të gjenden sërish të rrezikuara nga harrimi”, thuhet në reagim.

Institucionet akademike thonë se nuk do të ndalojnë së kërkuari emancipim kulturor të vazhdueshëm e hapësirë për vlerat e reja në të gjitha fushat e krijimtarisë shkencore e artistike.

“Ne kërkojmë që, edhe në këtë rrethanë, kur na duhet frymëzim për këtë betejë të pashembullt dhe na duhet ta gjejmë forcën e fitores, t’u kthehemi vlerave tona themelore identitare, traditës tonë më të mirë dhe idealizmit tonë kulturor dhe kombëtar”, përfundon qëndrimi i përba shkët i Akademisë së Shkencave të Kosovës, asaj të Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Shqipëri./KosovaPress/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA