Në emisionin “Shqipëria Live” drejtuar nga dyshja e moderatorëve Flori Gjini dhe Erjona Rusi, ishin të ftuar me anë të lidhjeve në “Skype”, bankierja Enkelejda Brahimaj, mësuesi Adrian Stefa si dhe gazetarja e emisionit “Fiks Fare”, Antela Likaj.
Enkelejda, nënë e dy vajzave, ka vendosur që ata të shkollohen në një institucion privat, por ndihet e shqetësuar sepse shkolla edhe pse është e mbyllur kërkon pagimin e tarifës. Ajo thotë se është dakord që të paguajë tarifën për mësuesit, por përse të paguajë për shërbimin ushqimor apo transportin, ku ajo tashmë nuk po mbulohet nga shkolla.
“Unë kam dy vajzat në shkolllë private dhe para disa ditësh më erdhi një mesazh, paguani pagesën e shkollës. Unë jam dakord për pagesën e shkollës, sepse dhe fëmijët po bëjnë mësim online. Por ajo që unë dua të anashkaloj është ushqimi. Mesazhi ishte vetëm paguani shkollën, dhe s’kishte asnjë trajtim shtesë”, u shpreh Enkelejda.
Ndërkohë mësuesi Ardi Stefa, i cili punon në një shkollë private, u shpreh se tarifat duhen paguar, sepse mësuesit po bëjnë mësim online. Dritat apo uji që do të harxhohej në shkollë, mësuesi apo mësuesja po e shpenzon në shtëpinë e tij.
“Unë e bëra atë postim pas disa reagimeve që ishin bërë në Facebook-un e ministres Shahini. Sipas prindërve ankesa e tyre mund të jetë e drejtë, një grua shprehej që fëmija ime nuk ka qenë në shkollë, nuk ka përdorur ujin, dritat ushqimin dhe duhet të përgjysmohet tarifa. Unë jam dakord që prindi të kërkojë një ulje të tarifës, nëse përmban këto gjëra. Por nëse se përmban atëhere nuk jam dakord me prindërit. Atë ujë që nuk e ka shfrytëzuar fëmija e ka bërë mësuesi në shtëpinë e tij, pra e keqja e dikujt është e mira e ndonjë tjetri.
Zonja në fjalë thotë që fëmija nuk ka shfrytëzuar bankat, nuk e ka shfrytëzuar ujin. Neve na preket interesi shumë i ngushtë që tarifë minirale, që është transporti. Unë në asnjë moment nuk thash që fëmijët të paguajnë tarifën e ujit dhe të transportit, por tarifa e studimit duhet paguar e plotë. Duhet paguar mësuesit dhe punonjësit e tjerë. Në qoftë se ne shqiptarët jemi solidar dhe duartrokasim mjekët ushtarët, tek mësuesit kemi ankesa”, tha mësuesi. Ndërkaq, gazetarja Antela Likaj, u shpreh se në redaksinë e “Fiks Fare”, kanë mbërritur një seri ankesash në lidhje me këtë problematikë. Ajo mendon që prindërit nuk duhet të paguajnë për një shërbim, të cilin nuk po e përfitojnë.
“Unë mendoj që prindërit nuk duhet të paguajnë për diçka që nuk po marrin”, u shpreh gazetarja.
Top Channel