GREQI- Bashkia e Athinës dhe Sinodi i Shenjtë i Kishës ortodokse greke kanë ofruar rreth 20.000 pako ndihmë për familjet në nevojë.
Lajmi bëhet i ditur prej kryetarit të bashkisë Kostas Bakojanis, i cili së bashku me kryepeshkopin e Athinës Jeronimos, vizituan qendrën e bashkisë që përgatit pakot e ndihmës.
Sipas tij, bashkia e Athinës ka nisur shpërndarjen e pakove ushqimore, për të gjithë banorët e Athinës që janë në nevojë.
Pako u jepet të gjithë atyre që kanë të ardhura të pakta dhe janë regjistruar në shërbimin social të bashkisë, pavarësisht origjinës se tyre, janë grekë apo emigrantë të huaj.
Besohet se më shumë se 1500 familje shqiptare përfitojnë pakot ushqimore vetëm në bashkinë e Athinës. Pakot janë me sasi ushqimesh bazë për disa ditë.
Personat që ndodhen në vështirësi, mund të telefonojnë në numrin pa pagese 1595 dhe menjëherë një ekip i bashkisë do të dërgohet për ti asistuar, tha kryebashkiaku i Athinës.
Për ditën e kremtimit të Pashkeve Ortodokse, Bashkia e Athinës do të shpërndajë 800 pako ushqim i përgatitur për të pa strehët,ndërsa 500 pako të tjera do i shpërndahen grave të dhunuara.
Qeveria vendosi të punësojë menjëherë 3000 punonjës shërbimi për programin “ndihma në shtëpi”.
Top Channel