Gjirokastër- Shtabi koordinues i mbledhur prej prefektit të Gjirokastrës Astrit Aliaj ka diskutuar rreth nevojës urgjente për të zgjidhur situatën e emigrantëve shqiptarë në pritje në anën tjetër të kufirit të cilët nuk pranojnë të karantinohen në hotele sepse nuk kanë mjete monetare për ta përballuar këtë situatë.
Në pritje në pikëkalimin e Kakavijës janë 12 persona por shumë të tjerë dëshirojnë të kthehen në Shqipëri pasi nuk kanë mundësi ta kalojnë periudhën e izolimit në Greqi.
Për të zgjidhur këtë situatë u vendos pranimi i tyre në karantinë brenda mjediseve publike, konvikti i shkollës pedagogjike në Gjirokastër dhe mjediset e shtëpisë së të moshuarve në Libohovë.
Të dy këto mjedise janë bosh për momentin dhe do të përshtaten për karantinën e emigrantëve. Është rënë dakord për sigurimin e kushteve të akomodimit dhe mjediseve sanitare por ende nuk është diskutuar rreth ushqimit për ta.
Top Channel