Të ndihmosh sot një gjysh apo një gjyshe, duke i bërë pazarin apo duke i blerë ilaçet, i shpëton jetën! Çdo ditë, si sot, Bashkia e Tiranës ka vijuar shpërndarjen e ushqimeve pranë të moshuarve të vetmuar, të cilët nyk duhet të dalin jashtë për shkak të virusit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte sot në Njësinë 7 në banesat e Servete Karkinit, Syrije Kasës, Vitori Vllahos, Heroina Palukës dhe Habibe Hysenit në kryeqytet për të çuar pako ushqimore në këto ditë të vështira.
Kryebashkiaku u kërkoi banorëve të kësaj njësie që të qëndrojnë brenda banesave të tyre, ndërsa i siguroi se për çdo nevojë, qoftë me ushqime apo për ilaçe, nëse do të lindë nevoja, punonjësit, por edhe grupet e vullnetarëve që i janë përgjigjur thirrjes së Bashkisë, do të jenë aty për të ndihmuar.
Teksa ishte në banesën e Syrije Kasës, banesa e së cilës është dëmtuar nga tërmeti dhe po trajtohet edhe me bonus qiraje, Veliaj tha se kjo ndihmë nuk do të ndërpritet, gjersa ata të futen në banesat e tyre. “Bonusi i qirasë do vazhdojë, pavarësisht epidemisë”, theksoi Veliaj.
Ai dha lajmin e mirë se shumë shpejt do të nisë edhe puna për rindërtimin. “Sa të mbarojë kjo flamë do të fillojmë me shtëpitë e reja. Nuk do humbasin asnjë ditë. Të njëjtën gjë që po bën kryeministri në Durrës dhe në Thumanë, po e bëjmë edhe në Tiranë. Po vijojmë me dosjet, do ecim shumë shpejt. Na ranë të gjitha gjërat në të njëjtën kohë, edhe tërmeti edhe kjo, por do dalim më të fortë”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë u shpreh se pas kalimit të kësaj epidemie, Njësia 7 do të njohë edhe disa investime të reja, sikurse është rruga dytësore që do e lidhë me Unazën si dhe një treg i ri tek ish-Fusha e Aviacionit.
Veliaj theksoi se këtë periudhë edhe bizneset do të ndihmohen, duke filluar që nga taksat. Me nismën solidare “Adopto një gjyshe” për të ndihmuar ata që jetojnë vetëm dhe nuk mund të dalin për të blerë ushqime, shumë të rinj e të reja po ndihmojnë të moshuarit e zonës.
Top Channel