Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, krahas monitorimit të zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, vijojnë punën për goditjen e paligjshmërisë, si dhe kapjen e personave në kërkim.
Në këtë kuadër, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, Policia e Vlorës, në bashkëpunim me Interpol Tirana, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kumia”, në kuadër të të cilit u kap dhe u arrestua, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, shtetasi Edmond Makri (Aliko), 54 vjeç, banues në Vlorë.
Gjykata e Apelit Aquila, Itali, në vitin 2013 ka lëshuar urdhër-arrestin për këtë shtetas, pasi e ka dënuar me 12 vite e 8 muaj burgim, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Shfrytëzim prostitucioni dhe migracion klandestin”, parashikuar nga Kodi Penal italian dhe nga Dekreti i Presidentit për Drogat.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel