Presidenti amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar Iranin për “çmim të lartë” nëse ai apo aleatët e tij në Irak, sulmojnë trupat amerikane apo asetet që kanë në Irak.
“Pas informacionit dhe besimit që kemi, Irani dhe zgjatimet e tij janë duke planifikuar sulme kundër trupave amerikane apo aseteve në Irak”, ka thënë Trump përmes një postimi në rrjetin social, Twitter më 1 prill.
“Nëse kjo ndodh, Irani do të paguajë një çmim shumë të lartë”, ka thënë ai. Ende nuk është bërë e qartë nëse Trump ka nënkuptuar që Shtetet e Bashkuara kanë informata të sakta për këtë plan.
Përgjatë vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar milicitë e përkrahura nga Irani për sulmet në bazat ushtarake irakiane, që strehojnë forcat e koalicionit apo në ambasadat e huaja, kryesisht ato të misioneve amerikane.
Më 11 mars, një raketë e hedhur në bazën irakiane ka vrarë dy trupa amerikane dhe një ushtar britanik, duke thelluar kështu tensionet në rajon. Ende askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, i cili është pasuar nga sulmet të përgjakshme amerikane ndaj grupit militant, Kataib Hezbollah.
Top Channel