Johnson & Johnson ka bërë të ditur tani se e ka përzgjedhur një vaksinë për koronavirusin e ri që do të testohet tek njerëzit duke filluar nga shtatori dhe do të mund të jetë gati për përdorim emergjent në fillim të vitit të ardhshëm.
Kompania farmaceutike, ka nënshkruar një marrëveshje me qeverinë amerikane për të investuar 1 miliardë dollarë në përpjekjen për gjetjen e vaksinës. J&J nisi punën për vaksinën që pritet të fillojë testimin në janar, duke përdorur të njëjtën teknologji si ajo e përdorur për një vaksinë për Ebolën.
Pol Stoffels, drejtues shkencor i kompanisë, thotë për AFP se ekipi i tij ka kombinuar një virus të të ftohtit të zakonshëm të paaftë të shumëfishohet, me pjesë të koronavirusit dhe se shpreson se ajo do të jetë e efektshme tek reagimi imun i njeriut.
“Ne kishim disa variante për vaksinën që i testuam tek kafshët e mes tyre zgjodhëm më të mirën. Kemi filluar punën për këtë më 15 janar”-tha Stoffels. Edhe pse nuk ka patur asnjëherë një vaksinë të suksesshme për njerëzit, për çdo virus që i përket familjes së koronavirusit, Stoffels thotë se ai ka besim që kjo do të arrihet pasi J&J po punon me të njëjtin ekip që ka prodhuar edhe një vaksinë-kandidate për Sarsin, që i mori jetën thuajse 800 personave në vitet 2002-2003.
Por vaksina nuk u përdor asnjëherë pasi epidemia e Sarsit u vendos nën kontroll dhe nuk pati interes për ta nxjerrë vaksinën në treg. Përvec J&J, kompania amerikane farmaceutike Moderna, ka kaluar tek testimet tek njeriu të vaksinës së saj dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe një kompani kineze. Për momentin, nuk ka asnjë vaksinë të miratuar apo trajtim për sëmundjen. Disa trajtime po hetohen, mes të cilëve edhe remdesiviri antiviral dhe ilaçet kundër Malarjes, Klorokin dhe Hidroklorokine, por nuk është ende e qartë nëse ato janë efikase.
Top Channel