Me destinacion Barcelonën, trageti “i ngecur” në ujërat greke numëron 122 të infektuar me Covid-19

02/04/2020 14:00
Foto Ilustruese

Ka shkuar në 122 persona numri i të infektuarëve në tragetin “Elfterios Venizelos”, i cili që prej më shumë se 14 ditësh ndodhet në portin e Pireut, Greqi.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, trageti grek ka më shumë se 1 muaj që lundron mes Greqisë Turqisë dhe Spanjës, pasi në asnjë prej këtyre porteve nuk ka mundur të zbarkojë 382 pasagjerët që ka në bord.

Me 38 grekë ekuipazh, trageti u nis për në Cesme të Turqisë, ku mori edhe 344 punonjës nga 12 vende të ndryshme të botës, me destinacion Barcelonën, ku do të përdorej si hotel për punonjësit e një kompanie turke, e cila po ndërton në portin spanjoll një anije krocere.

Sapo trageti ka mbërritur në portin e Barcelonës, autoritetet spanjolle njoftuan se duhet të kthehej në vendin nga ishte nisur, pasi portet spanjolle janë të mbyllura, masë kjo e marrë për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Pak ditë më vonë, trageti u kthye ne Pire, por pas të gjithë tentativave të ambasadave të vende të huaja, prej nga ku janë dhe anëtarët e ekuipazhit për të riatdhesuar u vendos që trageti të mbahej në karantinë 14-ditore.

Një ditë më parë, ministria greke e Shëndetësisë ka njoftuar se në bordin e tragetit janë zbuluar dhe verifikuar 20 të infektuar, ndërsa pak pas mesditës të së enjtes (2 prill) kanë dalë testet e ekuipazhit me 122 të infektuar.

Situata komplikohet pasi me gjithë izolimin e të infektuarëve, duket se situata do të rëndohet pasi anija ka përdorur sistemin e kondicionimit për të mbajtur ngrohtë ekuipazhin, çka me gjasa ka përhapur kudo virusin vdekjeprurës.

Gjatë orëve të ardhshme, pritet dërgimi i pjesës së mbetur të ekuipazhit në një prej hoteleve të caktuara si karantinë, ndërsa po tentohet dhënia e ndihmës mjekësore brenda tragetit për të infektuarit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA