Koronavirusi, sfida më e madhe që nga Lufta e Dytë Botërore

02/04/2020 01:24

Pandemia e koronavirusit është sfida më e madhe për botën që nga Lufta e Dytë Botërore. Ky paralajmërim është lëshuar nga sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres sipas të cilit e gjithë kjo do të sjellë pas një recesion që me gjasë nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër në të shkuarën.

Paralajmërimet e tij vijnë në mesin e parashikimeve të zymta për pasojat e mundshme ekonomike të masave të marra për të luftuar virusin. Numri i rasteve të konfirmuara rreth botës po i afrohet shifrës një milion me më shumë se 42 mijë viktima. Numri i viktimave në SHBA ka shkuar tani në mbi 4 mijë, më i lartë nga ai i deklaruar në Kinë, ku epidemia shpërtheu në fund të vitit të kaluar.

Universiteti John Hopkins, tha se 865 persona kishin vdekur në 24 orët e shkuara në SHBA dhe më afro 200 mijë vetë në vend ishin infektuar. Rreth tre në katër amerikanë tani janë ose do të jenë nën një formë izolimi ndërsa gjithnjë e më shumë shtete amerikane ashpërsojnë masat për të luftuar koronavirusin.

Ndërsa Spanja, e dyta pas Italisë në botë, për sa i takon numrit të viktimave, ka regjistruar 864 viktima në 24 orët e fundit shifra më e lartë kjo e regjistruar në një ditë të vetme. Në Britaninë e Madhe, në total 2352 persona kanë humbur jetën, me 563 viktima të shënuara në vetëm 24 orët e shkuara. Duke folur në zyrat e OKB në Nju Jork, ndërsa po prezantohej një raport për pasojat e mundshme socio-ekonomike të epidemisë, Guterres tha: sëmundja e re e koronavirusit po sulmon shoqëritë në zemrat e tyre.

Ajo për të cilën bota ka nevojë tani, është solidariteti. Vendet në të gjithë botën kanë ndërmarrë një seri masash, mes të cilave kufizimi i lëvizjes së njerëzve dhe mbyllja e shumë bizneseve për të ndaluar përhapjen e virusit. OKB raporton se më shumë se 25 milionë vende pune mund të humbasin në botë si rezultat i epidemisë.

Të martën ndërkohë, Banka Botërore paralajmëroi për një dhimbje të madhe ekonomike që duket e paevitueshme në të gjitha vendet dhe shtëpitë. Ndërsa presidenti amerikan Donald Trump, i tha amerikanëve të përgatiten për dy javë shumë, shumë të dhimbshme, pasi parashikimet e task forcës për koronavirusin, në Shtëpinë e Bardhë, flasin për të paktën 100 mijë viktima në muajt e ardhshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA