BE-ja- vendeve anëtare: Mos e përdorni pandeminë për të minuar demokacinë

31/03/2020 16:55

Komisioni Evropian i ka dërguar një paralajmërim të ashpër kryeministrit hungarez të krahut të djathtë, Viktor Orban, duke thënë se masat urgjente të miratuara nga shtetet anëtare, për të luftuar krizën e koronavirusit, nuk mund të shërbejnë për të minuar demokracinë.

“Është shumë e rëndësishme që masat emergjente të mos jenë në kurriz të parimeve dhe vlerave tona themelore. Demokracia nuk mund të funksionojë pa media të lirë dhe të pavarur”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Deklarata erdhi një ditë pasi parlamenti i Hungarisë miratoi legjislacionin që i jep qeverisë së Orbanit fuqitë e reja, që tejkalojnë masat, të cilat i përkasin një gjendjeje të jashtëzakonshme.

Von der Leyen nuk e përmendi Hungarinë, por deklarata e saj megjithatë shihet si një qortim ndaj qeverisë së Orbanit.

“Çdo masë urgjente duhet të kufizohet në atë që është e nevojshme dhe rreptësisht proporcionale. Ato nuk duhet të zgjasin për një kohë të pacaktuar”, tha von der Leyen.

Kabinetit të kryeministres belge, Sophie Wilmes, gjithashtu i është dhënë autoriteti të qeverisë me dekret pa përfshirje parlamentare, për gjashtë muaj.

Ligjvënësit francezë miratuan një ligj që rrit fuqitë e kryeministrit, një veprim i kritikuar ashpër nga organizatat e të drejtave të njeriut.

Në shumë vende të tjera evropiane, pezullimi i lirive personale të garantuara më parë, përfshirë edhe të drejtën për të demonstruar, për t’u mbledhur dhe për të qarkulluar lirshëm, kanë ngritur frikën se masat e përkohshme mund të vazhdojnë përtej gjendjes së jashtëzakonshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA