Kompania e njohur ajrore amerikane, American Airlines do të kërkojë mbështetje financiare nga qeveria amerikane në vlerën e 12 miliardë dollarëve, për shkak të situatës së rënduar që krijoi pandemia e koronavirusit.
Punonjësit u sqaruan përmes një emaili se “kjo gjë do ta lejonte linjën ajrore të realizojë fluturime edhe në skenarët më të këqij të mundshëm në të ardhmen”. Aty theksohet se kjo kërkesë nënkupton se “nuk do të ketë shkurtime apo zvogëlim të pagave dhe përfitimeve të tjera për gjashtë muajt e ardhshëm”.
Stafit të kësaj kompanie po ashtu do t’i mundësohet “pushimi vullnetar apo shanset për pension të parakohshëm”. Sipas të dhënave të Bloomberg, kjo kompani vitin e kaluar ka fituar 2.9 miliardë dollarë, ndërsa aksionerëve u ka kthyer 1.3 miliardë dollarë përmes dividentëve.
Në kuadër të projektligjit të miratuar nga Kongresi amerikan javën e kaluar për ndarjen e 2.2 trilionë dollarëve për shkak të situatës emergjente ku ndodhet vendi, 50 miliardë dollarë janë ndarë për kompanitë ajrore, ndonëse gjysma janë planifikuar si grante. Linjat ajrore në të gjithë botën e kanë ndalur shumicën e fluturimeve që prej muajit shkurt, në kuadër të përpjekjeve për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Top Channel