Që Ballkani Perëndimor si kopshti i brendshëm i Europës të jetë anëtar i denjë në BE, kjo është në dorën e vetë njerëzve dhe politikanëve të këtyre vendeve, mendon Adelheid Feilcke.
Në kohët e Coronas shumë gëzohen që kanë një kopsht brenda shtëpisë. Ndonëse ai nuk është një oborr pompoz, që do të ishte më i preferuar, por një kopsht i lënë disi pasdore, ai është një qoshëz e mbrojtur me potencial. Me pak më shumë vëmendje, më shumë përkujdesje për bimëzat e lëna pasdore ky kopsht mund të bëhet një pjesë e vlefshme e ansamblit, në të cilin do të qëndrosh dhe që i bashkon banorët dhe forcon bashkësinë e shtëpisë.
Si kopshti i brendshëm i Europës konsiderohet tani Ballkani Perëndimor. Me këtë metaforë të goditur ministri gjerman për Europën, Michael Roth pa u lodhur angazhohet që më në fund vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen në familjen europiane. Edhe pse banorët e shtëpisë Europa qysh më 2004 njëzëri u shprehën për perspektivën europiane të këtyre vendeve, ata vazhdimisht kanë qenë në dilemë se çfarë të bëjnë me këtë truall, që qartazi ndodhet në mesin e tyre, por në një farë mënyre u ka shkaktuar më shumë telashe se sa kënaqësi.
Vazhdimisht ata kanë qenë në dilemë se çfarë donin të mbjellin dhe si të ndanin përgjegjësinë, banorët e rinj shtronin kërkesa të reja, barërat e këqija gëlonin dhe u zinin frymën atyre pak filizave shpresëdhënëse. Së fundi ishte bashkëbanori Macron ai që papritur vendosi rregulla të reja për kopshtin e brendshëm duke e penguar fazën e dytë të planifikuar prej kohësh për konceptimin e tij – pra hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Koha për një sinjal të rëndësishëm në rajon”
Në kohët e Coronas lipset më shumë se kurrë uniteti ndër banorët dhe përgjegjësia e përbashkët për kopshtin e brendshëm. Ndaj ishte koha për të dhënë një sinjal të rëndësishëm në rajon, që BE tani ka vendosur hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Rruga është ende shumë shumë e gjatë, derisa gjithçka të formësohet në atë mënyrë që vlerat europiane të rriten e të lulëzojnë pa u trazuar, që farat e këqia, korrupsioni dhe populizmi të jenë çrrënjosur aq sa të mos mund t’u zenë më frymën e të hedhin hijen e tyre mbi shtetin ligjor dhe lirinë e mendimit.
BE-ja duhet ta shoqërojë këtë proces me mjeshtëri dhe ta mbështesë e ta nxisë atë e po ashtu duhet edhe ta kultivojë e vadisë fort, aq më tepër tani kur Rusia dhe Kina me paketa ndihmash për shkak të krizës Corona si një substrat i freskët synojnë ta mbulojnë shtratin europian të këtij kopshti. Sidoqoftë kopshtarët nuk mund të bëjnë gjë, në rast se toka dhe fara nuk kanë cilësi. Fara e këtij kopshti janë vetë njerëzit dhe politikanët në Shqipëri e në Maqedoninë e Veriut. Eshtë në dorën e tyre që në shtëpinë e përbashkët Europa të bëhen anëtarë të denjë. DW
Top Channel