Kryeparlamentarja Vjosa Osmani në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, është shprehur kundër mocionit të votëbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Veprimet e pamatura politike që sot ndikojnë në vendime të dëmshme për vendin, Osmani tha se asnjëherë nuk i arsyeton dhe përkrah.

Osmani: Situatën po e bëjmë më të trishtuar

“Ngase partia ime e përkrahur edhe nga opozita e sotme sot ka sjellë për votim mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë suaj, të nderuar qytetarë. Qeverisë me besimin më të madh në 15 vitet e fundit. Ky mocion është ngritur ndaj qeverisë së ndryshimit në një vend ku shumë politikanë me gjasë nuk e duan ndryshimin. Ky mocion është dorëzuar në kohën kur bota po vuan dhe Evropa e ka bërë moto solidaritetin mes njerëzve. Sot ne rrezikojmë ta humbim edhe atë fije solidariteti që e kemi gëzuar para pandemisë, dhe kjo është e pashembullt. Ky ësh të fjalimi të cilin nuk do të doja ta mbaja ngase në çastin në të cilin unë po flas Kosova dhe mbar njerëzimi janë duke u përballur me njërën nga sfidat më të rrezikshme të njerëzimit, atë të virusit COVID -19, dhe në këtë çast të trishtuar për njerëzimin, të cilin po e bëjmë edhe më të trishtuar me mos durimin politik, me mocionin ndaj qeverisë, ëndrra për ta mbisunduar tjetrin shndërrohet në betejë për pushtet”, tha Osmani.

Ajo ka pasur edhe një mesazh për ‘ata që deklarojnë se është kundër qëndrimeve të LDK-së’.

Osmani: Kur më thonë se nuk shpreh qëndrim të LDK-së, më kujtohet qëndrimi i Mustafë

“Kur i dëgjoj disa kur thonë që unë nuk shpreh qëndrim të LDK-së, mua thjesht jo vetëm që më kujtohen fytyrat e secilit në ato tubime, por më kujtohet po ashtu që unë çdo pikë edhe të qëndrimit të kryetarit të LDK-së e kam respektuar. Po e citoj çfarë na thotë vetë kryetari Isa Mustafa lidhur me partitë e tjera, “Jo, jo, ata e kanë kultivuar korrupsionin dhe nepotizmin, dhe nuk mund të luftojnë asnjërën, as tjetrin. Ata veç mund të riorganizojnë për nevoja të veta. Ata që lidhin kontrata të dyshimta dhe të dëmshme në Telekom, ata të aferës së pasaportave , ata të vjedhjes së dëshmimeve, ata që i mbushën kompanitë publike me njerëz partiakë, ata që fabrikuan dhe nënshkruan vërtetime të rrejshme për veteranët e luftës, ata që e katandisën paranë publike, ata duhet të shkojnë në lavazh, të pastrohen mirë, brenda dhe jashtë por jo të qeverisin me Kosovën. E kishte fjalën për partitë e PAN-it, në qoftë se dikush ka dyshim”, tha ajo.

Duke votuar mocionin, Osmani tha se sonte braktiset vullneti i qytetarëve, për çka tha se zëri i tyre nuk është dëgjuar. Ajo edhe një herë ka deklaruar se nuk do të përkrah këtë mocion për rrëzimin e qeverisë Kurti. Dy fjalë pati edhe p ër ata që kërkuan largimin e saj nga LDK.

Osmani: Mendjeshkurtrit më akuzojnë se unë po e tradhtoj LDK-në
“Në politikë sikurse edhe në jetë duhet ta paguash çmimin e parimit. Unë këtë e kam provuar në lëkurën time më shumë se një herë. Por, parimësia tregon rrugën e drejtë, edhe atëherë kur ajo është e mbushur plot me gjemba. E unë nuk përtoj t’u rrekem atyre, për ta bërë të dukshme dritën edhe nëse sikur kjo nuk kuptohet nga disa mendjeshkurtër, që më akuzojnë se unë po e tradhtoj LDK-në dhe kërkojnë largimin tim nga LDK-ja. Ma tregojnë mua derën, por është një derë dhe një rrugë që e kam ndjekur unë që 20 vjet, është ajo rrugë që ta shtron qytetari”, tha Osmani. /KosovaPress/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA