Shpërthimi i koronavirusit ka goditur një prej pushimeve traditë në Shtetet e Bashkuara që ndodhin gjatë muajit mars, të njohura si pushimet pranverore. Disa studentë të cilët nuk hoqën dorë prej planeve të tyre për të shkuar në plazh gjatë kësaj periudhe, u përballen me kufizime të forta që i dhanë fund praktikisht çdo mundësie për t’u argëtuar.

“Nëse më zë koronavirusi më zë…kjo nuk do të më ndalë mua që të argëtohem”, Brady Sluder, student nga Ohajo. Pas disa muajsh planifikimesh pushimet pranverore për studentët e kolegjeve në “Miami Beach” u ndërprenë në mes për shkak të mbylljes së plazhet publike. Autoritetet e qytetit vendosën gjithashtu të kufizojnë grumbullimet e njërëzve si dhe të mbyllin bare e restorante mes frikës në rritje për përhapje të koronavirusit.

“Më prishi pushimet. Çfarë ka këtu për të bërë përveçse të shkosh në plazh apo në restorant? Ata po i mbyllin të gjitha, po e shkatërrojnë fare. Mendoj se po teprojnë, kjo është shumë”, thotë Brianna Leeder, 21 vjeç nga Uinskonsin. Por ekspertët e shëndetit publik thonë se ata që festojnë në vendet e njohura për pushime të këtij sezoni, nuk paraqesin vetëm rrezik për njëri-tjetrin, ata rrezikojnë ta bartin virusin në qytetet ku jetojnë.

“Fatkeqësisht ka të ngjarë që ata të jenë të ekspozuar ndaj COVID-19. Kur të kthehen në shtëpitë e prindërve apo gjyshërve të tyre, ata duhet të izolohen për të paktën 14 ditë. Ata ndihen të paprekshëm, por problemi është se janë bartës e që rrezikojnë ta përcjellin virusin”, thotë Dina Borzokowski profesoreshë e lëndës së mjekësisë në universiteti e Merilendit. Por kjo sipas profesoreshë Borzokowskit do të jetë e vështirë për shumë të rinj të cilët ndërkohë janë të zhgënjyer që u duhet të kthehen tek familjet e tyre e jo në kampuset universitare ndërsa shumica kanë nisur t’i zhvillojnë leksionet në internet.

“Kjo pjesë e popullsisë ka më pak gjasa të jetë vaksinuar kundër gripit apo të vendosin rripat e sigurisë. Ka shumë të ngjarë që ata të abuzojnë me alkoolin e të përfshihen në akte të rrezikshme. Pra përbëjnë një pjesë të vështirë të popullatës për t’u trajtuar në rast krize”, thotë ajo. Duket se zbatimi i rregullave të reja mund të jetë veçanërisht i vështirë për ata që përjetuan një ndërprerje të beftë e dramatike të pushimeve të shumëpritura pranverore./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA