Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, shoqëruar edhe nga Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako ka qenë në Thumanë, Shijak e Ishëm për të shpërndarë së bashku me efektivë të Forcave të Armatosura pakot ushqimore për familjet në nevojë.
Gjatë bisedave me banorët, Xhaçka i ka këshilluar të respektojnë rregullat e përcaktuara për tu mbrojtur nga COVID-19.
“Kujdesuni për veten. Qëndroni në shtëpi e na kontaktoni nëse ju nevojitet diçka. Të gjithë bashkë do të bëjmë çmos që ta kalojmë këtë situatë”, i tha Xhaçka një prej banoreve të Thumanës, e cila e falenderoi ministren për ndihmën.
Shpërndarja e pakove ushqimore do të vijojë edhe në ditët në vijim, deri në kapërcim të situatës së krijuar nga Covid 19. Forcat e Armatosura, përmes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Rezervat e Shtetit janë angazhuar që në bashkëpunim me pushtetin vendor të shpërndajnë në të gjitha bashkitë e vendit ndihma ushqimore për të moshuarit dhe familjet e varfëra.
Top Channel