Edhe mëngjesin e sotëm, situata në Bulqizë vijon të jetë si ditët e tjera të shtetrrethimit, ku banorët lëvizin në pedonale dhe të papajisur me maska.

Nga ana tjetër, Bashkia e Bulqizës vijon dezifektimin e rrugëve. Në vijim të masave kundër COVID-19, janë ngritur 9 grupe patronazhi, që do të ndihmojnë të moshuarit për çdo nevojë blerjeje që mund të kenë jashtë banesave të tyre.

Grupet e patronazhit do të jenë aktivë në çdo ditë të javës, në të gjitha njësitë administrative. Teksa shpenzimet kryesisht do të përballohen nga vetë pensionistët, ekipet e patronazhit do t’u ofrojnë atyre mbështetje për blerjen e medikamenteve apo ushqime të nevojshme.

Ndërkohë, me nismën e kryetarit, Lefter Alla, bashkia ka nisur edhe një fushatë solidariteti të qytetarëve dhe bizneseve për të mbledhur ndihma, kryesisht ushqime dhe veshje, për t’u mundësuar familjeve në vështirësi ekonomike, plotësimin e nevojave bazike. Ka qenë vetë Alla, i cili përmes një kontributi individual ka ofruar ndihma për 20 familjet e para, të cilat u shpërndanë gjatë ditës së djeshme.

U bëhet thirrje pensionistëve dhe të moshuarve që të mos dalin nga banesat e tyre, pasi ekipet e bashkisë do t’u gjenden pranë. Ndërkohë puna në minierë ka vijuar rregullisht në të gjitha sektoret.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA