SHBA pezulloi Kosovën nga programi i ndihmës ekonomike “Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit”, MCC për shkak të mosheqjes së tarifës ndaj Serbisë. Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën për dialogun me Serbinë.

15 marsi ishte data kur kryeministri Albin Kurti kishte paralajmëruar heqjen e tarifës në lëndën e parë për mallrat që hyjnë nga Serbia në Kosovë, por këtë nuk e bëri, sepse sipas tij, nuk ka arritur ta bindë partnerin e koalicionit LDK-së për këtë gjë. Kjo e fundit po kërkon heqjen e tërësishme të tarifës ndaj Serbisë ashtu siç po kërkon edhe SHBA, dhe jo heqjen e pjesshme siç e kërkon Kurti. Kryeministri kosovar në një postim në profilin e tij tha, se “u kërkoi falje qytetarëve të Kosovës që më 15 mars nuk po mund ta jetësojë planin e tij në raport me tarifën”. “Ende nuk kam arritur ta bindë partnerin tonë të koalicionit qeverisës, LDK-në, për atë që vetë jam i bindur: zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitetin është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme”, shkroi Albin Kurti.

Reagimi i LDK

Por i menjëhershëm ishte reagimi i zëvendëskryeministrit të parë në qeverinë Kurti, Avdullah Hoti nga LDK-ja, i cili tha se tarifa duhet të hiqet menjëherë, e pa kushte, ashtu siç po kërkojnë Shtetet e Bashkuara. Ai porositi Kurtin që të “mos të bëhen taktizime politike me partneritetin tonë me SHBA-n”. “Vëmendja e jonë duhet të jetë në menaxhimin e situatës së krijuar nga Covid-19, e jo në lojëra politike që çojnë në DISTANCIM të SHBA-së nga Kosova, siç ka nisur me bllokimin e fondeve të MCC-së për Kosovë, të nënshkruara nga Qeveria Mustafa”, shkroi Hoti në Facebook.

Kryeministri Albin Kurti në fund të muajit shkurt kishte deklaruar se më 15 mars heq tarifën për lëndën e parë për mallrat e Serbisë dhe nëse Serbia e ndal fushatën për çnjohje dhe zotohet për heqjen e barrierave jotarifore, nga 1 prilli, taksa do të hiqej për një periudhë 90 ditëshe. Nëse Serbia nuk i përmbahet këtyre zotimeve, atëherë nga 15 qershori, do të rivendosej taksa 100 % dhe do të zbatohej parimi i reciprocitetit.

SHBA reagon ndaj Kosovës

Këtë plan e kundërshtuan SHBA, të cilat përmes të ngarkuarit për dialogun Kosovë-Serbi,. Richard Grenell, po kërkojnë heqjen e tërësishme të tarifës ndaj mallrave të Serbisë në mënyrë që t’i hapet rruga dialogut Kosovë-Serbi. Madje SHBA kërcënuan edhe me sanksione ndaj Kosovës dhe masën e parë ata e ndërmorën dy ditë më parë. Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA-së (MCC), konfirmoi nëpërmes një komunikate për medie se ka pezulluar programet e zhvillimit ekonomik për Kosovën.

“Pozicioni i Shteteve të Bashkuara lidhur me tarifat e Kosovës ndaj mallrave nga Serbia është i qartë. Heqja e këtyre tarifave do të përmirësojë ekonominë e Kosovës dhe do të ndihmojë në uljen e varfërisë përmes rritjes ekonomike. Derisa të zgjidhet çështja e tarifave të Kosovës, MCC do të pezullojë programet e saj në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Deutschland Serbien und Kosovo unterzeichnen Abkommen über Bau von Autobahn und Bahnstrecke (AFP/T. Kienzle)
Një javë më parë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington u takuan Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq me ndërmjetësimin e të ngarkuarit amerikan Richard Grenell. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Presidenti Thaçi nuk ka mandat që të negociojë në emër të Kosovës dhe i kërkoi atij që ta kordinojnë politikën e jashtme. Megjithatë Parlamenti i Kosovës të shtunën pas mesnatës miratoi një rezolutë me të cilën bëhet e qartë se “Qeveria e Kosovës është institucioni që ka mandatin që të udhëheqë bisedimet politike me Beogradin”.

“Sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Republikës së Kosovës janë të pacënueshme. Askush nuk ka të drejtë të bisedojë, dialogojë apo negociojë për sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe karakterin unitar të Kosovës”, thuhet në tekstin e rezolutës të miratuar në Kuvendin e Kosovës. Dialogu me Serbinë, ka nisur në vitin 2011 dhe pas shtatë vjetësh u ndërpre në nëntor të vitit 2018 pasi Qeveria e Kosovës vendosi tarifën 100% ndaj produkteve të Serbisë, si kundërpërgjigje ndaj Serbisë për shkak të fushatës së saj kundër njohjeve të Kosovës. Beogradi po e kushtëzon kthimin në tavolinën e bisedimeve me Kosovën me heqjen e tarifës ndaj mallrave të saj që të hyjnë në Kosovë./dw

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA