Gjatë dimrit, Instituti i Shëndetit Publik regjistroi mbi 14,000 persona të sëmurë me grip në javë. Pjesa më e madhe e të sëmurëve në vend ishin fëmijë. Stina e virozave duket akoma larg përfundimit, ndaj është tejet e rëndësishme që të merrni hapat e duhur për t’u mbrojtur.
Një prej tyre është vaksinimi, por pas këtij hapi mjekët rekomandojnë që të merrni disa masa të mëtejshme për të shmangur rrezikun ose për të përshpejtuar shërimin. Sipas të dhënave të AgroWeb.org, një regjim i shëndetshëm ushqimor me yndyrna të shëndetshme, proteina, drithëra të plota, fruta dhe perime është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga gripi dhe virozat. Megjithatë, ka disa përbërës specifikë që, jo vetëm ju ndihmojnë të shëroheni por edhe pakësojnë gjasat e sëmundjes.
Masat Që Duhet Të Merrni
Vitamina C
Studimet thonë se mungesa e vitaminës C, e plogështon sistemin imunitar. Mjekët rekomandojnë të merrni 1,000 mg vitaminë C në ditë. Këtë sasi mund ta merrni nëpërmjet agrumeve ose suplementëve. Nëse jeni prekur tashmë nga gripi, atëherë synoni të merrni deri në 4,000 mg vitaminë C.
Uji
Kur jeni sëmurë duhet të siguroheni që trupi është i hidratuar mjaftueshëm. Uji ndihmon në nxjerrjen e viruseve nga sistemi. Bashkë me ujin nuk duhet të mungojë limoni, mjalti dhe kanella që ndihmojnë në largimin e sekrecioneve. Për fytin, rekomandohet gargara me një gotë me ujë të ngrohtë, një lugë çaji me kripë dhe gjysëm luge çaji me sodë buke.
Vitamina D
Studimet kanë treguar se mungesa e vitaminës D tejzgjat simptomat e infeksioneve të gripit. Trupi e merr vitaminën natyralisht nëpërmjet diellit. Por këtë vitaminë e gjeni edhe tek qumështi, veza, salmoni, qumështi i bajames dhe tek suplementët.
Uthulla e mollës
Uthulla e mollës ka një reputacion shumë pozitiv, sidomos në rastet e gripit. Ajo ndihmon në qetësimin e fytit të acaruar. Uthullën mund ta pini në doza të vogla me lugë kafeje ose ta tresni në ujë.
Banjë me avull
Banja me avull është qetësuese dhe ndihmon kundër simptomave të grupit. Kur të bëni banjë me avull përdorni edhe trumzën dhe rozmarinën që luftojnë virozat dhe çlirojnë rrugët e frymëmarrjes.
Hudhra
Hudhra forcon sistemin imunitar dhe përshpejton shërimin nga gripi dhe virozat. Mjekët rekomandojnë që ta konsumoni hudhrën çdo ditë.
Probiotikët
Probiotikët rikthejnë ekuilibrat e baktereve të mira në stomak. Këto të fundit jo vetëm që forcojnë sistemin imunitar por edhe parandalojnë infeksionet. Probiotikët i gjeni tek kosi ose nëpërmjet suplementëve.
Ajri i pastër
Virusi qëndron më gjatë në një ambient me ajër të thatë. Përpiquni të ajrosni shtëpinë, ose të qëndroni në ajër të pastër./AgroWeb
Top Channel