Autoritetet njoftuan se kanë identifikuar të gjithë personat që kanë hyrë nga Italia në 14 ditët e fundit dhe atyre u është dërguar një mesazh në numrat e tyre të celularit që të zbatojnë periudhën e vetëkarantinimit për 2 javë.
Çdo shkelje ndëshkohet me 5 mijë euro gjobë dhe askush nuk do të lejohet që të dalë nga Shqipëria pa e paguar gjobën. Ndërkohë në shtëpitë e tyre do të trokitet për t’i njoftuar në kuadër të një operacioni të posaçëm sensibilizimi dhe monitorimi për qëndrimin e detyrueshëm 2 javor në vetëizolim.
Ndërkaq nga ora 10.00 e paradites se sotme nuk do të lejohet transporti ajror dhe tokësor me Greqinë. Pra nuk do të lejohen udhëtimet me avion dhe autobuse, ndërsa do të vijojnë udhëtimet me mjete private.
Ndërkohë nga mbrëmja e djeshme, në kuadër të masave për të frenuar përhapjen e koronavirusit, pikat kufitare me Malin e Zi, ajo e Muriqanit dhe Vermoshit janë bllokuar. Sipas autoriteteve hyrje daljet nga këto dy pika kufitarë do të qëndrojnë të pezulluara deri në një njoftim të dytë. Ndërkohë në Hanin e Hotit do të vazhdojë lëvizja, si në hyrje dhe në dalje, si për shtetasit edhe për mjetet.
Ndërkohë qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur që të mbyllë kufiri Bllatë, Xhepishtë-Trebishtë në drejtim të Shqipërisë pas rasteve te fundit me koronavirus në shtetin fqinj.
Top Channel