Qytetarët të zbatojnë këshillat e mjekëve, Basha thirrje qeverisë: Të merren urgjentisht masa…

14/03/2020 19:03

Kreu i Partisë Demokratike me anë të një postimi në rrjetet sociale ka bërë një tjetër reagim për sa u përket masave kundër përhapjes së koroanvirusit.

Basha shkruan se të gjithë qytetarët duhet të marrin masa që t’i paraprijnë përhapjes së virusi. Kreu i PD ka hedhur akuza edhe ndaj qeverisë duke thënë se duhet të bëjë detyrë që i takon dhe jo detyrën e mjekut. Basha ndër të tjera deklaron se kufizimet nuk duhet të bëhen duke kërcënuar me gjoba por me fonde shtesë dhe masa të posaçme.

“Ne duhet të marrim urgjentisht masa që ti paraprijmë përhapjes së virusit. Dhe për këtë nevojitet bashkëpunimi i të gjithë shqiptarëve, pa përjashtim: secili prej nesh është një hallkë e rëndësishme e këtij zinxhiri, ndaj ju bëj edhe njëherë thirrje të dashur bashkqytetarë të jemi shumë të kujdesshëm dhe syçelët, si dhe të zbatojmë të gjitha këshillat e mjekëve. Nga ana tjetër, duhet që qeveria të bëjë detyrën e saj dhe jo atë të mjekut.

Kjo krizë kërkon masa jo sot për sot, por veprime të qarta dhe nje plan afatgjatë. Duke menduar vetëm për sot, neglizhohet çfarë do të ndodhë pas dy ditësh apo pas një jave.

Kufizimet e forta kërkojnë jo kërcënime me gjoba dhe shthurje gjuhe, por zgjidhje të forta, fonde shtesë dhe masa të posaçme mbështetëse. Fatkeqësisht, ditët kalojnë dhe qeveria ende nuk ka një plan masash të integruar për ti paraprirë qëndrimit në shtëpi të qytetarëve.

Çfarë përgatitjesh po bëhen për një skenar më të vështirë, nëse qëndrimi në shtëpi do të duhet të vazhdojë për një kohë më të gjatë? Kur me të drejtë ju kërkojmë njerëzve të rrinë në shtëpi duhet të merren masa edhe si do të garantohet furnizimi i tyre i pandërprerë me ushqime dhe ilaçe.

Kur me të drejtë ju kërkojmë njerëzve të rrinë në shtëpi, si do t’i sigurojnë shumica e tyre të ardhurat për ushqime dhe mjete higjeno-sanitare?

Kur me të drejtë ju kërkojmë njerëzve të rrinë në shtëpi, si do ti paguajnë faturat qytetarët në kushte të mungesës së të ardhurave nga mosshkuarja në punë, duke qenë se pjesa më e madhe e bizneseve do jenë të mbyllura?

Kur ju kërkojmë fëmijëve të rrinë në shtëpi, pse hezitohet për PAKETËN E INTERNETIT FALAS ?

Të gjitha këto pikëpyetje kërkojnë veprim qeveritar dhe jo recitime.

Pse nuk alokohen direkt fonde nga buxheti për këto zëra?

Pse nuk alokohen fonde për të ngritur SOT pavione shtesë?

Cfarë masash po merren për të rritur urgjentisht numrin e kiteve dhe paisjeve testuese? Po për paisjet respiratore dhe të trajtimit të të sëmurëve nga virusi, kur vetë qeveria paralajmëron dy herë në ditë se pritet rritje e numrit të të infektuarve?

Këto janë detyrat e qeverisë. Ajo duhet të veprojë tu vijë në ndihmë njerëzve dhe jo të marrë përsipër rolin e Institutit të Higjenës.

Edhe njëherë nga zemra shpreh #mirënjohjen më të thellë për personelin e ISHP, mjekët e urgjencës, anestezistë, reanimatorë, pneumologë epidemiologë,mikrobiologë e virologë, specialistë të shëndetit publik, farmacistë, infermierë, shoferë ambulancash dhe sanitarët, të cilët janë në vijën e parë. Falenderim për të gjithë stafin mjekësor që sot po punon me përkushtim edhe pse është i ekspozuar ndaj virusit Covid 19, duke u kujdesur për të gjithë ata që kërkojnë asistencë mjekësore e në veçanti të sëmurët kronikë.

Heronj sot janë ata, por nesër është edhe ai që mban thasët e miellit, edhe punonjësit e furrave të bukës, edhe elektricisti që mirëmban rrjetin elektrik, punonjësi i ujësjellësit, pastruesit dhe mbledhësit e plehrave, riparuesi i ashensorëve, mijëra shitës perimesh dhe artikujsh ushqimorë, shoferë që bëjnë furnizime, mijëra punonjës administrate, policie dhe të FA, e gjithë ajo pjesë e shoqërisë që kryen aktivitete të domosdoshme për funkisonimin dhe mbijetesën e shoqërisë në këto ditë të vështira” shkruan Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA