Angazhimet e ndryshme shoqërore e familjare por edhe oraret e tejzgjatura të punës janë disa ndër faktorët që detyrojnë njerëzit ta shtyjnë darkën në orare tepër të vona. Megjithatë, mjekët nuk reshtin së rekomanduari se ngrënia herët ofron shumë përfitime që shkojnë përtej mbipeshës. Këto përfitime do t’i gjeni të listuara në këtë artikull të AgroWeb.org.
Kontroll Më i Mirë i Peshës
Njerëzit që hanë vonë në mbrëmje, kanë tendencën të zgjedhin ushqime me shumë kalori e më pak ushqyes. Kësisoj, tendenca për ta tepruar është e madhe. Anashkalimi i vakteve të tjera të ditës dhe vonesa e darkës do t’ju shtyjë të hani pa mendje. Për më tepër, rreziku i shëndoshjes dhe mbipeshës është i lartë.
Urthi
Një nga mënyrat për të shmangur urthin është që të shmangni ushqime të bollshme e të yndyrshme në orët e vona. Duke ngrënë më herët, trupi ka kohën e nevojshme për të tretur ushqimin dhe ulur rrezikun e akumulimit të aciditetit në stomak. Urthi përkeqësohet edhe duke u shtrirë pas ngrënies, ndaj duhet të krijoni një hapësirë kohore mes darkës dhe gjumit.
Gjumi
Urthi ndikon tek cilësia e gjumit. Nëse ushqeheni vonë dhe e teproni me ushqimin do të keni probleme me stomakun dhe nuk do të bëni një gjumë të qetë. Nga ana tjetër nëse pini shumë lëngje përpara gjumit atëherë do të keni nevojë të shkoni shpesh në tualet. Ekspertët rekomandojnë konsumin e ushqimeve të lehta e me racione të vogla por jo në darkë vonë.
Energjia e Organizmit
Ruajtja e ekuilibrave të vakteve i jep organizmit më shumë energji. Çdo vonesë në konsumin e vakteve e frenon energjinë dhe shkakton plogështi, probleme me humorin dhe teprica të panevojshme të oreksit. Gjumi cilësor i njerëzve që hanë herët u jep atyre më shumë energji gjatë ditës dhe mundëson një peshë më të shëndetshme trupore.
Kur Është Koha Më e Përshtatshme Që Të Hani Darkë?
Ekspertët nuk bien dot dakord për një orë të caktuar të darkës, megjithatë kanë arritur në një konsensus se vakti i fundit duhet të jetë të paktën 2-3 orë përpara gjumit. Ndaj nëse ju flini në orën 23:00 atëherë sigurohuni që të mos hani më pas orës 20:00.
Cilat Ushqime Rekomandohen
Një studim i kohëve të fundit zbuloi se ngrënia e karbohidrateve në mbrëmje ose në darkë ndihmon në mbajtjen nën kontroll të oreksit gjatë ditës. Konsumoni bulmet si kos, qumësht por edhe bukë me drithëra të plota, pak oriz ose makarona. Edhe një trahana e ngrohtë është e këshillueshme.
Proteinat në darkë ndihmojnë muskujt
Ngrënia strategjike përpara fjetjes mund të optimizojë përpjekjet e muskujve. Sportistët konsumojnë vakte të pasura me proteina si qumësht, djathë, kos dhe pluhur proteinash përpara se të flenë për të ndihmuar muskujt të jenë më të fortë./AgroWeb
Top Channel