Pasi dje pezulloi veprimtarinë Komuniteti Mysliman Shqiptar, ditën e sotme, Kisha Katolike ka njoftuar anulimin e të gjitha veprimtarive deri me datë 3 prill 2020.
Dekreti në fjalë përfshin edhe pezullimin e pelegrinazheve në Shenjtëroren e Kishës së Shna Ndoit në Laç edhe Shenjtëroren e Zojës në Shkodër.
Lexoni më poshtë dekretin e plotë:
Duke vlerësuar situatën e ditëve të fundit e krijuar nga Covid-19 në Shqipëri, duke pasur parasysh urdhëresën nr. 132, datë 08.03.2020, të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale, po ashtu Letrën e Konferencës Ipeshkvore të datës datës 29 shkurt 2020, duke vlerësuar përvojën e kishave simotra në vende të tjera, pas konsultimit me specialistë të fushës e duke i thirrur sensit të përgjegjësisë si Ipeshkëvinj të Kishës Katolike në Shqipëri:
Dekretojmë
Pezullimin e të gjithë aktiviteteve dioqezane dhe famullitare në Kishën Katolike në Shqipëri në të cilat parashikohet pjesmarrja dhe grumbullimi i popullit deri me datë 3 prill 2020 e që konkretisht do të thotë:
– Pezullimin e të gjitha kremtimeve liturgjike, përfshirë Meshën e Shenjtë;
– Pezullimin e katekizmit, për fëmijë e të rritur;
– Pezullimin e të gjitha aktiviteteve të tjera të programuara, dioqezane dhe famullitare, me fëmijët dhe të rriturit;
– Pezullimin e të gjitha kurseve të formimit pranë qëndrave tona komunitare.
Ndërkohë, ftojmë famullitarët që:
– të kremtojnë Meshën në kapelat e tyre, duke e transmetuar atë edhe online nëpërmjet rrjeteve sociale;
– të garantojnë rrëfimin personal duke ruajtur distancat e duhura e duke garantuar edhe sekretin e bisedës;
– të garantojnë marrjen e Kungimit për të sëmurët që e kërkojnë në shtëpi, gjithmonë duke ruajtur rregullat e vendosura nga organet e shëndetësisë;
– të garantohet Sakramenti i Vajimit për të sëmurët në rastet kur kërkohet, duke ndjekur rregullat e duhura higjenike;
– të garantohen funeralet duke shmangur mbledhjen e popullit, por duke bërë lutjen në momentin e mbylljes së arkivolit dhe në momentin e vendosjes në varr;
– kishat të rrinë të hapura për lutjen personale gjatë ditës, duke informuar dhe këshilluar njerëzit që të mbajnë distancën e duhur nga njëri-tjetri.
Po ashtu ftojmë të gjithë besimtarët katolikë që të jenë të vëmendshëm dhe të dëgjueshëm ndaj rregullave dhe udhëzimeve të nxjerra nga organet përkatëse për përballimin e situatës.
Të jemi të vetëdijshëm për sakrificën që duhet të bëjmë të gjithë bashkë për të mirën e njerëzve dhe shëndetit të tyre.
Të vazhdojmë të dashur besimtarë t’i lutemi Hyjit në familjet dhe në shtëpitë tona për këtë situatë që të kalojë sa më shpejt në vendin tonë dhe në të gjithë botën.
Ky dekret hyn në fuqi me datë 12 shkurt 2020.
Dhënë nga Selia e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, me datë 11 shkurt 2020
Ipeshkëvinjtë e Kishës Katolike
Top Channel