Fondi Shqiptar i zhvillimit ka hapur tenderin për rindërtimin e 2500 shtëpive individuale të shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit në 10 bashki të vendit përveç Tiranës.

Ky do të jetë një tender ndërkombëtar dhe përveç shpalljes në agjencinë e prokurimeve publike gara është njoftuar edhe në gazetat më të mëdha të botës përfshirë “Financial Times”.

Sipas dokumentave, banesat do të ndërtohen në bashkitë Kamëz, Kavajë, Rrogozhinë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Shijak dhe Vorë. Ato do të jenë të tipit 1+1, 2+1 dhe 3+1 dhe fondi total i vënë në dispozicion është përcaktuar 52 miliardë lekë ose rreth 42 milionë euro. Kjo do të thotë se mesatarisht vlera limit e një shtëpie individuale është përcaktuar 16 mijë e 800 euro pa tatimin mbi vlerën e shtuar.

Procedura e përzgjedhjes së kompanive fituese do të jetë ajo e marrëveshjes kuadër. Brenda datës 19 mars të gjitha kompanitë e interesuara, vendase apo të huaja duhet të dorëzojnë kërkesat për pjesëmarrje në garë. Fillimisht këto kompani do ti nënshtrohen vlerësimit nëse përmbushin kapacitetet e kërkuara teknike.

Vetëm kompanitë që kualifikohen për kapacitetet teknike do të marrin pjesë në fazën e dytë të tenderit, atë të ofertave ekonomike. Sipas dokumentave, fituesit do të përzgjidhen sipas një formule ku çmimi më i ulët ka 60 për qind të pikëve, koha e ndërtimit 30 për qind dhe cilësia 10 për qind.

Ndërkohë veç 2500 shtëpive që do të prokurohen nga fondi shqiptar i zhvillimit, do të ndërtohen edhe 900 shtëpi të tjera individuale në tiranë, por tenderi për këto banesa do të zhvillohet nga vetë bashkia e Tiranës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA