E gjithë Italia “zonë e kuqe”, 97 të vdekur në orët e fundit. Në total bilanci i viktimave 463, të infektuar 7985 persona

10/03/2020 01:27

Kryeministri Italian, Giuseppe Conte njoftoi të hënën në mbrëmje se janë vendosur kufizime lëvizjeje në gjithë vendin në përpjekje për të penguar zgjerimin e koronavirusit dhe se e gjithë Italia është zonë e kuqe. Conte tha se një dekret i ri qeveritar kërkon nga të gjithë qytetarët e Italisë të dëshmojnë nevojën për të lëvizur për punë, shkaqe shëndetësore ose arsye të tjera të kufizuara për të udhëtuar jashtë zonave ku ata jetojnë.

Kufizimet do të hyjnë në fuqi të martën dhe sikundër ato që tashmë janë vendosur në veriun e vendit, do të zgjasin deri më 3 prill, tha ai. “Nuk do të jetë thjesht një zonë e kuqe,” u tha kryeministri Conte gazetarëve duke iu referuar urdhrit për të futur në “karantinë”, që ai nënshkroi gjatë fundjavës për një rajon me 16 milionë banorë të Italisë veriore.

“Do të jetë Italia zonë e mbrojtur”, tha ai.

Italia ka përjetuar më shumë vdekje si pasojë e COVID-19 se çdo vend tjetër jashtë Kinës. Të hënën në mbrëmje bilanci shkoi në 463 të vdekur, 7.985 të infektuar dhe 724 të shëruar. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, bilanci i viktimave nga koronavirusi në Itali u rëndua me 97 vdekje.

Gati 1600 infektime të reja janë shënuar që nga e djela. Numri i rasteve në vendin fqinj po rritet në mënyrë të pafrenueshme, në një kohë kur në Kinë, vendi ku e pati origjinën sëmundja që po frikëson botën, përhapja e koronavirusit po ngadalësohet gjithmonë e më shumë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA