Kryeministri Edi Rama dhe qeveria janë mbledhur sot për herë të parë në një mbledhje të jashtëzakonshme për koronavirusin.

Kjo mbledhje vjen fill pasi në mesnatë Ministria e Shëndetësisë konfirmoi dy rastet e para me koronavirus, dy shqiptarë të cilët kishin qenë për disa kohë në Itali nga ku ishin infektuar.

  Dy raste me covid 19/ Rama jep urdhrin: Mbyllen shkollat për dy javë

“Kemi përgatitur edhe hyrjen në skenarin e parë, që ishte parapërgatit nga ekspertët. Receta e më e gabuar ajo që buron nga paniku, ilaçi më efektiv arsyeja dhe qetësia. Duhet të informoheni nga burimet zyrtare dhe të zbatohen rreptësisht masat për higjienën vetiake.
Komunikimi me urgjencën kombëtare kur dyshoni për simptomat.

Sot që flasim kërkohet një përshkallëzim të parë masash sipas OBSH. Gjatë kësaj kohe ka pasur shenja shqetësuese të motivuara nga paniku, përmes burimesh të pacertifikuara për informim, ku e përsëris se zëri që duhet ndejkur është ai i autoriteteve.

Në të gjitha ato vende ku ka pasur qetësi dhe vetëpëmbajtje edhe fenomeni i këtij virusi është bërë me sukses. OBSH nuk rekomandon mbylljen e kufijve, e them këtë sepse është kritikuar mos bërja e kësaj gjëje.

Siç tregojnë eksperiencat e vendeve mbyllja e kufijve është masë drastike dhe nuk përdoret gjerësisht.

Planin e veprimit e kemi në tryezë, dhe sot futemi në skenarin e parë. Task forca ka punuar në mënyrë të pandërprerë dhe vazhdon punën për planin e masave në 3 drejtime:

Kufizimi, me qëllim parandalimin e përhapjes

Shtyrja në kohë e përhapjes

dhe lëhtësimi i pasojave që mund të sjellë infektimi.

Jemi në konsultim me OBSH dhe në këtë situatë, thelbësore është vetëpërmbajtja dhe qetësia si dhe zbatimi i orientimeve përkatëse.
Kemi vendos në dispozicion edhe financat përkatëse edhe një fond tjetër prej 400 mln lekësh, për të plotësuar disa nevoja të kësaj faze.
Me shumë rëndësi që kemi gjet mirëkuptimin e personelit mjekësor, është gati për këtë përballje e mirë informuar dhe e angazhuara”, tha Rama.

Fjala e plote e Kryeministrit Rama ne mbledhjen e qeverise:

Kryeministri Edi Rama: Siç është bërë e ditur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Laboratori i Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik ka konfirmuar mesnatën e mbrëmshme 2 raste me Covid-19, apo, siç e njohim tani të gjithë, koronavirus. Bëhet fjalë për një rast të importuar nga Firence, një i ri 28-vjeçar i cili ka udhëtuar me automjetin e tij dhe ka hyrë në Shqipëri nga pika e Hanit të Hotit dhe një kontakt i ngushtë familjar i infektuar me koronavirusin Covid-19. Strukturat shëndetësore po trajtojnë të dy të prekurit, djali dhe babai, të cilët janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe po vijojnë të ndiqen nga ekipet e specializuara mjekësore në spitalin infektiv.

Ministrja e Shëndetësisë do të informojë më tej në lidhje me masat e marra prej strukturave shëndetësore që nga momenti i marrjes së sinjalizimit, protokollin klinik dhe epidemiologjik, të ndjekur sipas protokollit të përcaktuar me të gjitha hapat nga OBSH-ja, që është edhe udhërrëfyesi unë në këtë proces qysh se është shfaqur ky fenomen kërcënues.

Por ajo që ka një rëndësi themelore në përballjen me këtë situatë dhe që është këshilla bazë e OBSH-së është domosdoshmëria për të ruajtur qetësinë dhe për të ndjekur hap pas hapi burimet zyrtare nga sistemi përkatës shëndetësor përsa i takon individëve dhe përsa i takon vetë shtetit të gjitha masat e parashikuara, që duhen përshkallëzuar hap pas hapi dhe faktikisht që nga mesnata e mbrëmshme, ne kemi përgatitur edhe hyrjen në skenarin e parë, i cili ishte parapërgatitur nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Në ka një gjë që bëhet gjithmonë e më qartë e që këmbëngul gjithnjë e më shumë OBSH-ja është se receta më e lakuar është ajo që buron nga paniku dhe nga të gjitha llojet e aventurës individuale, ndërkohë që në këtë situatë, ilaçi më efektiv është qetësia dhe forca e arsyes për të mos e lënë veten dhe për të mos lënë rrethin e afërt të familjarëve e miqve të bien në kthetrat e panikut. Kjo është një kohë për t’u informuar prej burimeve zyrtare dhe për të zbatuar sa më rreptësisht të gjitha rekomandimet e dhëna prej autoriteteve shëndetësore sa i përket higjienës vetjake, që do të thotë masat që individualisht secili prej nesh dhe çdo individ duhet të marrë masa të thjeshta në dukje, por shumë efikase dhe të këshilluara në mënyrë të vazhdueshme nga OBSH-ja.

Nga ana tjetër, komunikimi me Urgjencën Kombëtare në çdo rast, kur cilido konstaton shfaqje të simptomave, apo dyshon se simptomat e shfaqura janë të lidhura me këtë fenomen. Ajo që dua të theksoj për të gjithë është se strukturat tona janë përgatitur intensivisht gjatë gjithë kësaj periudhe dhe janë plotësisht në gatishmëri për t’u vendosur në pozicionin e kërkuar në këtë situatë, e cila ndiqet në të gjithë dinamikën e saj dhe sot që flasim, kërkon një përshkallëzim të parë masazh bazuar në planin e hartuar sipas orientimeve dhe protokollit të përgjithshëm të OBSH-së.

Gjatë kësaj kohe ka patur shumë shenja shqetësuese, diku të shkaktuara prej panikut, diku të motivuara nga ato arsyet e mosarsyes së zakonshme të rasteve të tilla përmes burimesh të pacertifikuara komunikimi lidhur me një situatë të tillë, ku i vetmi burim i certifikuar është burimi zyrtar dhe i vetmi që duhet ndjekur hap pas pasi është zëri i autoritetit përkatës dhe eksperienca që ne e kemi ndjekur orë pas ore dhe në bazë të qarkoreve që jepen në dispozicion të vendeve nga OBSH-ja tregon se në të gjitha ato vende ku ka prevalaur qetësia dhe vetëpërmbajtja, edhe administrimi i këtij fenomeni kërcënues është shumë më i suksesshëm.

OBSH-ja nuk rekomandon, madje kundërshton me forcë mbylljen e kufijve. E them këtë, sepse në mënyrë të vazhdueshëm është predikuar nga burime të pacertifikuara, që nuk kanë asnjë kompetencë për ta bërë këshilltarin apo sugjeruesin në këtë proces, se duheshin apo duhen mbyllur kufijtë dhe faktikisht, siç tregojnë eksperiencat e të gjitha vendeve, mbyllja e kufijve është një masë shumë drastike, e përdorur pothuajse fare apo pjesërisht në raste shumë specifike, të lidhura me të dhëna shumë specifike, të cilat Shqipëria sot nuk i ka.

Ne planin e veprimit, siç e kam thënë dhe më parë, e kemi në tryezë dhe sot me konfirmimin e rastit të parë futemi në skenarin e parë. Task-forca e përbërë nga strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Mbrojtjes, Emergjencat Civile, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ekspertëve të përzgjedhur të Shëndetit Publik dhe nga zyra e përfaqësisë së OBSH-së ka punuar në mënyrë të pandërprerë gjatë gjithë këtyre ditëve dhe vazhdon të punojë për zbatimin e planit të masave, i cili bazohet në 3 drejtime të ndjekura në të gjitha vendet;

Së pari, kufizimi me qëllim parandalimin e përhapjes;

Së dyti, vonimi, nëse mund ta them, shtyrja në kohë e përhapjes së virusit;

Së treti, lehtësimi i pasojave që mund të sjellë infektimi me Covid-19.

Dua ta theksoj shumë qartë, se për të gjithë masat e ndërmarra jemi në konsultim të vazhdueshëm me OBSH-në dhe nuk do lodhem së përsërituri që në këtë situatë, si në çdo situatë kur shoqëria, shteti dhe të dy bashkë përballen me një gjendje jo të zakonshme, thelbësore është vetëpërmbajtja, ruajtja e qetësisë dhe ndjekja e një burimi të certifikuar zyrtar, si dhe zbatimi në nivel individual i atyre orientimeve që burojnë nga nevoja për të kontribuuar për veten dhe për të tjerët në një situatë të tillë.

Ne kemi vendosur në dispozicion të situatës së emergjencës edhe financat përkatëse dhe një fond tjetër prej 400 milionë lekësh, sipas kërkesave të bëra nga vetë Ministria e Shëndetësisë, është në dispozicion për të plotësuar disa nevoja të kësaj faze për mbështetjen e sistemit tonë shëndetësor.

Është me shumë rëndësi të theksoj që kemi gjetur jo vetëm mirëkuptimin, por edhe angazhimin maksimal të personelit mjekësor dhe ajo që është vërtetë për t’u vënë me nënvizim është se e gjithë struktura e personelit shëndetësor që është parashikuar për t’u futur hap pas hapi në dispozicion të kësaj përballjeje është e mirëorganziaur, është e mirëinformuar dhe është e mirëangazhuar.

Masat e sotme, që ka ardhur momenti, gjithnjë në ndjekje të protokollit të përcaktuar nga OBSH –ja për t’i vënë në lëvizje, janë pezullimi i fluturimeve direkte, apo udhëtimeve me veriun e Italisë dhe praktikisht me të gjitha zonat e kuqe të izoluara plotësisht deri në datë 3 prill, mbyllja e institucioneve arsimore për një periudhë 2-javore për të parandaluar përhapjen dhe pastaj vlerësimi në proces.

Pse mbyllja e institucioneve arsimore? Duhet të jetë shumë e qartë për të gjithë që në të gjitha statistikat e nxjerra deri tani në terrenin global të zhvillimit të kësaj përballjeje, pjesa më pak e kërcënuar është pjesa e më të rinjve.

Por nga ana tjetër duhet kuptuar se të rinjtë, apo fëmijët, të cilët për shkak të faktit që duhet të shkojnë në shkollë, apo në kopsht dhe mblidhen sëbashku janë bartës, pra, mund ta transportojnë virusin tek të tjerët, edhe pse për ata vetë virusi nuk shfaqet kërcënues në rrezikshmëri për jetën dhe për këtë arsye ne besojmë që është momenti të mbyllim të gjitha institucionet arsimore dhe njëkohësisht të kërkojmë anulimin e të gjitha grumbullimeve masive, aktivitete sportive, kulturore, konferencave, dëgjesave publike, e kështu me radhë deri në datën 3 prill për ta parë dinamikën e këtij zhvillimi dhe pastaj për të vendosur për më tutje.

Një tjetër element që është shumë i rëndësishëm të theksohet dhe është e domosdoshme të merret në konsideratë nga të gjithë individët është vetëkarantinimi pra vetëizolimi i personave që vijnë nga zona me shpërthim të virusit në nivel komunitar apo siç quhen ndryshe zonat e kuqe të cilat monitorohen me një rigorozitet të skajshëm nga strukturat shëndetësore.

Vetëkarantinimi është një element që gjendet edhe në ligjin tonë aktual në RSH dhe po ashtu shoqërohet edhe me masë administrative për thyerjen e këtij rregulli. Por duhet të jemi realistë që për sa i takon vendit tonë gjëja kryesore dhe më e rëndësishmja është që çdo individ të kuptojë se ka një rol në këtë përballje dhe se për të ruajtur veten dhe për të ruajtur të tjerët është me rëndësi themelore të ndjekë procedurën e vetëkarantinimit në rast se vjen nga një zonë e kuqe dhe faktikisht këtu ne kemi si pikë referimi në radhë të parë zonën matanë detit, në veriun e Italisë. Pas rasteve që janë konfirmuar mjediset e përgatitura më parë për karantinën e përgjithshme janë absolutisht në dispozicion. Dhomat e izolimit në shërbimin infektiv në QSUT janë funksionale dhe është punuar dhe punohet në vijimësi për të pasur të gjithë stokun e materialeve mbrojtëse personale. Nga ana tjetër, do t’iu lutesha shumë të gjithë atyre që kanë të afërm në spital, në QSUT, që të kufizojnë maksimalisht vizitat dhe të lehtësojnë kështu edhe punën e të gjithë personelit, por edhe punën tonë të përbashkët, sepse është punë e përbashkët, është përpjekje e përbashkët mes shtetit, qytetarëve bashkë me shtetin dhe përballë fenomenit kërcënues.

Dua të theksoj po ashtu se qoftë spitalet, qoftë ekipet mjekësore që do trajtojnë rastet e konfirmuara janë përcaktuar dhe dihen saktësisht nga të gjithë personat që do përfshihen në proces sipas evoluimit të situatës.

Në fund, dëshiroj të bëj një thirrje për të gjitha mediat: është në këto momente një përgjegjësi e madhe, një përgjegjësi e jashtëzakonshme për shëndetin e njerëzve dhe për mbarëvajtjen e këtij procesi jo të lehtë përballjeje që mediat të vetëpërmbahen dhe të kenë vetëdijen se në këtë situatë armiku më kërcënues nuk është koronavirusi, por është paniku, paniku që stimulohet nga lajmet e rreme, paniku që stimulohet nga ekzagjerime të paarsyeshme, paniku që stimulohet nga burime dhe komente të paautorizuara, të pa certifikuara, jo profesionale, jo shkencore prandaj besoj se nuk është e tepërt të thuhet se në këtë moment të gjithë duhet të jemi aleatë në një përballje që shkon përtej të gjitha fjalimeve tona gjatë ditëve të normalitetit.

Këtu po e mbyll, duke ia dhënë fjalën ministres së Shëndetësisë, për të dhënë më shumë detaje, ju dhe të gjithë qytetarëve që faktet që burojnë nga analiza dinamike në nivelin global e të gjitha zhvillimeve bazuar në shifra konkrete në raporte konkrete mes të prekurve, popullsisë së përgjithshme, atyre që kalojnë në fazën e një përpalljeje të posaçme me virusin dhe rasteve të humbjes së jetës, flasin më qartë se çdo gjë. Nuk është murtaja e Mesjetës. Mos harroni se në vitin 2008-2009 ka pasur një epidemi H1N1 që ka marrë gjysmë milioni njerëz në mbarë botën, që do të thotë se nuk jemi përballë diçkaje që ka gjësend tjetër përveç se një të panjohure që lidhet me faktin dhe apo që implikon faktin se bota nuk e ka sot një vaksinë ndaj këtij virusi, por ama niveli i vdekshmërisë niveli i prekjeve tregon qartë që është një epidemi të cilën mund dhe duhet ta përballojmë, ashtu sikundër po e përballojnë dhe shumë vende të tjera, me qetësi, me vetëpërmbajtje dhe me arsye të ftohtë.

Të gjithë jemi të ekspozuar ndaj riskut, pa diskutim, nuk ka këtu asnjë dallim shtrese, moshe e kështu me radhë, por të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se ku ky virus prek më rrezikshëm, kush janë hallkat e dobëta dhe si të gjithë sëbashku të bëjmë të mundur që të ruajmë njëri-tjetrin e të dalim dhe nga kjo situatë me vetëpërmbajtje dhe me një angazhim ku secili bën pjesën e vetë.

Padiskutim që i takon qeverisë, i takon strukturave të angazhuara që të udhëheqin këtë proces dhe ne jemi të vetëdijshëm e jemi plotësisht të përgatitur ta bëjmë këtë, por i takon secilit që të bëjë edhe pjesën e vetë.

Janë disa këshilla shumë të thjeshta, në pamje të parë madje duken dhe qesharake për dikë që nuk e ndjek me seriozitet apo që është i panikuar në pikën që çfarë janë këtu, por ato këshilla duhet të ndjekim. Që nga shmangia e kontakteve të afërta kur ato janë të evitueshme, flas për nivelin individual, tek dezinfektimi i duarve, pra larja e shpeshtë e duarve pas kontaktit, tek vetëkarantinimi në rast se vjen nga një zonë që është prekur dhe tek vendosja e një filtri individual në raport me informacionin.

Gjëra të thjeshta që i këshillohen të gjithë globit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nga të gjitha autoritetet. Të gjitha autoritetet në të gjithë botën, këshillojnë të njëjtën gjë për individët. Asnjë panik, asnjë ekzagjerim në emocione negative, kujdes, qetësi, vetëpërmbajtje dhe ndjekje e disa rregullave. Nuk është një virus që po të zuri të mori jetën. Nuk është! Është një virus që ka, e thashë, karakteristikën e të panjohurës por referuar statistikave është qartësisht një situatë e vështirë padiskutim për shkak të të panjohurës, por absolutisht jo një situatë ku po kërcënohet e ardhmja e njerëzimit.

Duhet ta ndjekim me shumë qetësi dhe po të shikojmë statistikisht, Shqipëria, për masën e popullatës së vetë, nuk është e kërcënuar nga numra të mëdhenj marramendës të para nga larg siç ndodh në vende shumë të mëdha, të cilët numra në raport me ato vende, përsëri janë në raport të caktuar. I them këto jo për ta marrë lehtë, absolutisht jo, ne e kemi marrë shumë seriozisht dhe jemi përgatitur më së miri për këtë fazë, por kemi preferuar të bëjmë punën, të japim mesazhe sipas fazave, të mos shkojmë përtej asaj që kërkon momenti sepse faktikisht ja ku është rasti, nuk ka ardhur nga ajri, nuk ka ardhur nga deti, ka ardhur në rrugë tokësore, me automjetin e vetë personal që do të thotë që të gjitha ekzagjerimet, të gjitha thirrjet për përshkallëzime ekstreme nuk burojnë nga protokolli zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, por nga ndjenja e natyrshme e pasigurisë që nuk duhet lejuar të kthehet në panik, kjo është A-ja. Çdo gjë sipas planit, të konsultuar dhe të vënë në tryezën e shtetit, mbi bazën e protokollit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu: Dje janë konfirmuar dy rastet e para me COVID-19 në Shqipëri. Bëhet fjalë për 2 qytetarë të moshave 54 dhe 28 vjeç, banues në qytetin e Tiranës, njëri është rast i importuar i cili ka udhëtuar nga Firence në Shqipëri në rrugë tokësore dhe ka hyrë përmes pikës kufitare të Hanit të Hotit, në datë 26 shkurt, ndërkohë që babai, pra lidhja mes të dyve është baba dhe bir, është rast i konfirmuar si kontakt i ngushtë. Është kontaktuar urgjenca kombëtare 127, menjëherë sipas protokolleve janë marrë mostrat, djalit dhe babait, të cilët kanë patur shenja klinike, janë dërguar në laboratorin e virologjisë pranë institutit të shëndetit publik, për t’u analizuar në këtë laborator, ku kanë rezultuar pozitiv. Menjëherë pas daljes së rezultateve, ekipi i epidemiologëve të njësisë vendore të kujdesit shëndetësor dhe urgjenca kombëtare, e kanë kryer identifikimin, izolimin e kontakteve të ngushta përgjatë gjithë natës, ka marrë mostrat e tyre të kontakteve për analizë dhe tashmë kontaktet ngushta janë izoluar ndërsa të dy qytetarët, pra babai dhe i biri, janë dhe po marrin shërbim pranë shërbimit infektiv në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.

Dua të bëj disa thirrje, shfrytëzoj rastin për t’i bërë thirrje qytetarëve për qetësi, ekipet tona të urgjencës kombëtare janë në gatishmëri të plotë. Po kështu shërbimi infektiv në QSUT dhe të gjithë ekspertët tanë të shëndetit publik, në spitale.

Mjekët dhe infermierët janë në ballë të kësaj situate duke ju përgjigjur të gjithë rasteve sipas të gjitha skenarëve, të cilat ne i kemi planifikuar me komitetit teknik të ekspertëve dhe ndarë gjithashtu në Task Forcë. Kam një thirrje për personat që kontaktohen nga ekipet tona, të bashkëpunojnë me to për të mirën e shëndetit të tyre dhe për të mirën e shëndetit të të afërmve të tyre dhe qytetarëve të tjerë. Bëj një thirrje për të qenë racional. Nuk ka arsye për panik, mjekët, ekspertët janë në krye të detyrës dhe kanë qenë si nga momenti i konfirmimit të rasteve, gjatë gjithë natës, e do vijojnë të jenë në krye të detyrës ku çdo orë ka përforcim të masave që do të thotë, dhe qytetarët do të informohen në vazhdimësi për masat, edhe të mëvonshme, që ne do të marrim dhe në varësi të situatës dhe shkallës së rrezikshmërisë.

Përsëris thirrjen për qytetarët, që nëse kanë apo ndjenë simptoma të ngjashme me ato të gripit, të telefonojnë menjëherë në numrin unik 127 dhe ta bëjnë këtë pa asnjë vonesë. Ekipi i urgjencës kombëtare i epidemiologëve, do të shkojë, do të paraqitet tek ta, për të kryer të gjithë protokollin përkatës dhe nga ana tjetër, i bëj thirrje qytetarëve të mos vijnë në spitale, në urgjenca, pa patur shenja klinike apo pa kontaktuar 127. Pra të mos paraqiten në spitale nëse nuk kanë ardhur nëpërmjet urgjencës kombëtare dhe nuk kanë shenja klinike.

E them dhe një herë, virusi nuk shpërndahet nëpërmjet ajrit, por nëpërmjet kontakteve. Qytetarët duhet të zbatojnë rregullat e higjienës. Larje të duarve për 20 sekonda. Mbulim i fytyrës me bërryl gjatë teshtitjes apo kollitjes dhe ruajtja e distancës prej më shumë se një metër nga personat e tjerë. Është një situatë me të cilën po përballen sistemet e shëndetësisë në gjithë botën. Nuk jemi imun dhe nuk ka arsye që të jemi imun, por është një situatë që bën dallimin mënyra se si reagon, ruajtja e qetësisë, ndjekja e protokolleve mjekësore e mbi të gjitha, na nevojitet një bashkëpunim i ngushte i vazhdueshëm, mes strukturave, por mbi të gjitha mes qytetarëve. Tre drejtimet kryesore të planit tonë të veprimit janë freno, vono dhe lehtëso. Tre drejtimet kryesore që sot çdo qeveri po i ndërmerr në kuadër të planit të masave për të parandaluar, frenuar përhapjen e këtij virusi. Dua që t’ju përsëris edhe një herë vendimet që ne kemi marrë për sa i përket urdhrit në kuadër të zbatimit të ligjit për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve të sëmundjeve infektive për mbylljen e institucioneve arsimore publike dhe jopublike, për një periudhë 2 javore nga hyrja në fuqi e këtij urdhri. Gjithashtu, mbylljen e aktiviteteve publike dhe jo publike dhe anulimin e grumbullimeve masive në vende të mbyllura apo të hapura, këtu përfshihen aktivitetet sportive, aktivitetet kulturore, konferencat, deri më datën 3 prill 2020. Po kështu, anulimin e grumbullimeve masive në vende të mbyllura apo të hapura të tilla si koncerte, tubime apo dëgjesa publike deri më datën 3 prill. Vetëkrantinimin e detyruar të personave që hyjnë në territorin e Shqipërisë, nga zona e kuqe apo zona e izoluar në Itali, strukturat shëndetësore do të sigurojnë mbështetjen e vazhdueshme të të gjithë personave të identifikuar si persona që kanë hyrë në vendin tonë nga zona të kuqe dhe sigurisht, moszbatimi i urdhrit që hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga zona e kuqe në Itali, është i dënueshëm sipas dispozitave ligjore të nenit 35 të ligjit për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive. Po ashtu, kemi marrë vendimin dhe dua të theksoj këtu se të gjitha këto vendime të marra janë të vendosura dhe të rekomanduara nga komiteti teknik i ekspertëve, për ndalimin e eksportit të barnave dhe pajisjeve mjekësore, deri në një urdhër të dytë. Eksporti i barnave dhe pajisjeve mjekësore do të kryhet vetëm me autorizim të posaçëm të ministrit të shëndetësisë. Gjithashtu, kemi marrë një vendim, në vijim të rekomandimeve të komitetit teknik, për kufizimin e lëvizjes së shoqëruesve dhe familjarëve të pacientëve nëpër spitale.

Në ambientet e shërbimeve të urgjencës mjekësore, në institucionet e kujdesit shëndetësor, ndalohet hyrja e shoqëruesve dhe familjarëve të pacientëve me përjashtim të rasteve kur një kërkesë e tillë vjen nga drejtoria spitalore apo kërkohet nga mjekët përkatës. Në ambientet e shërbimit spitalor, ku janë duke marrë trajtimin spitalor pacientët, ndalohet hyrja e shoqëruesve dhe ose familjarëve të pacientëve me përjashtim të rasteve kur një kërkesë e tillë vjen nga drejtoria spitalore.

Ky është një rregull i cili ka qenë më parë me orare të kufizuar në kuadër të masave për frenimin e përhapjes së koronavirusit, ne kemi marë këtë vendim dhe ftojmë qytetarët që të zbatojnë këtë rregull.

Nga ana tjetër, ashtu siç u vendos dhe kryeministri tha, 400 milionë lekë të cilat vijnë për mbështetjen e sistemit shëndetësor në kuadër të masave paraprake pra të situatës për parandalimin e korona virusit në vend, do të shkojnë për fuqizimin e flotës së aparaturave në reanimacione dhe gjithashtu, rritje e stokut të pajisjeve të mbrojtjes personale. Dua të them dhe një herë që po vijon puna dhe në këto moment për rritjen e stokut të masave të mbrojtjes personale pasi një ndër pikat më të rëndësishme të punës sonë, që në momentin e parë të krijimit të task forcës në janar dhe të komitetit teknik, ka qenë marrja e masave për mbrojtjen e personelit mjekësor dhe infermieror për të cilët do të vijojmë të punojmë për t’i siguruar atyre mbrojtje personale.

Gjithashtu, dua që të ftoj dhe një herë qytetarët për të ndjekur rregullat e për të ndenjur në këtë situatë afër fëmijëve dhe të moshuarve, për t’u kujdesur për ta. Është një kohë që duhet të kemi sa më solidaritet me njëri tjetrin dhe secili të bëjë detyrën e tij, por gjithashtu, është e rëndësishme që përveç se të gjitha masave që qeveria po merr, që shteti po merr dhe gjithmonë do të bëjë pjesën e tij, është një betejë, e cila fitohet vetëm me sjellje individuale korrekte ndaj kërkohet më shumë se kurrë, një pakt me qytetarët edhe me mediat për të ndihmuar në sjelljet korrekte sepse vetëm sjelljet korrekte ndjekja e rregullave nga institucionet, do të na ndihmojë për të evituar përhapjen e këtij virusi. Pra, është thelbësore që në këtë orë e në vazhdim, të dëgjojmë me shumë kujdes të gjitha instruksionet që do të vijnë nga institucionet përkatëse dhe sigurisht të shmangim të gjitha ato kontakte, të cilat janë të shmangshme për të parandaluar apo për të kufizuar shpërndarjen e këtij virusi. Është çelësi për ta fituar edhe këtë sfidë. Ne shikojmë përpara, por për të parë përpara duhet të shohim dhe mbrapa dhe Shqipëria i ka kaluar këto sfida edhe më parë, është përballur edhe më parë me viruse si sarsi, mersi dhe ka treguar që sistemi shëndetësor e ka përballur, mbi të gjitha ne duhet të besojmë tek profesionistët, tek mjekët dhe infermierët që do të vijojnë të tregojnë që me profesionalizmin e tyre dhe me gjithë besimin tonë tek sistemi shëndetësor i yni do të arrijmë të fitojmë dhe këtë sfidë shumë të vështirë.

Kryeministri Edi Rama: Përpara se sa të kalojmë në diskutimin e brendshëm të qeverisë lidhur me ecurinë e mëtejshëm në zbatimin e planit të masave, dëshiroj ta përmbledh dhe një herë për ata që na ndjekin se është shumë e rëndësishme të kuptohet që kjo epidemi ka një specifike të posaçme në kohën që jetojmë si rezultat i ndërlidhjes shumë më të fortë mes vendeve, shumë më të fortë mes njerëzve, shumë më të fortë përmes botës së informimit. E përsëris dhe një herë tjetër, jo në shekujt e kaluar, por vetëm 10 vjet më parë, një epidemi tjetër ka marrë gjysmë milioni njerëz në glob dhe siç të gjithë e dini, sepse të gjithë e kujtojmë, nuk kemi pasur në nivel, në Shqipëri jo e jo, por dhe në nivel global, një situatë alarmi të tillë. Alarmi vjen dhe si pasojë e faktit që çdo gjë që ndodh në një cep të globit, menjëherë shfaqet në të gjitha ekranet dhe në të gjitha pikat e informacionit, në çdo vend të globit. Teshtin dikush në anën tjetër të botës dhe dëgjohet teshtima në këtë anë të botës, që do të thotë kjo rrit fluksin e informacionit dhe patjetër ndikon psikologjikisht tek çdonjëri prej nesh, por thënë kjo, është themelore që të kuptohet se gjithë kjo hije e madhe kërcënuese për psikologjinë tonë, përballohet me disa masa që janë fare të thjeshta kufizimi i kontakteve fizike, sepse e tha ministrja dhe e thekson në mënyrë të vazhdueshme Organizata Botërore e Shëndetësisë që ky virus nuk merret nga ajri, që thithim bashkërisht, por nga kontakti fizik dhe larja e duarve pas kontaktit fizik, të paktën për 20 sekonda, është një masë që ndihmon jashtëzakonisht shumë në parandalim.

Ashtu sikundër, është shumë e rëndësishme që për të gjithë të rinjtë, që ne sot po i privojmë nga vajtja në shkollë, që të shmangin grumbullimet e mbrëmjes në lokale, të shmangin pubet dhe klubet e natës ku kërcehet e këndohet sepse kontakti i atyshëm është shumë i afërt dhe nuk është rrezikshmëria tek të rinjtë, është bartja e virusit tek më të moshuarit nëpër shtëpia.

E treta, duhet të bëjmë çmos që të ruajmë ata që janë më të moshuar, gjyshet, gjyshërit nëpër shtëpia. Të bëjmë çmos do të thotë që së pari të kufizojmë kontaktet tona, së dyti, t’i mbajmë ata larg kontakteve me ne dhe larg kontakteve me ne do të thotë, për fat të keq, sa më pak prekje me duar, dhe sa më shumë kujdes. Është e pamundur që ne të mos i marrim këto masa, të thjeshta, në nivelin vendor. Tjetra që është shumë e rëndësishme është që n i lutemi të gjithë njerëzve të kuptojnë se nuk ka nevojë të shkojnë në spitale apo në qendra shëndetësore për të verifikuar nëse janë apo jo të prekur, mjafton të marrin në numrin e telefonit. Edhe rastet e konstatuara mbrëmë në mesnatë, edhe rastet e tjera të analizuara kanë qenë pikërisht produkt i komunikimit me 127, pra Urgjenca jonë Kombëtare është e përgatitur për t’i ndjekur të gjitha rastet dhe në numrin 127 ka konsulta në bazë të komunikimit me personat që përgjigjen, të cilët janë mjekë dhe infermierë, nuk janë centralistë që përcjellin shqetësimin, pra janë mjekë dhe infermierë që bëjnë pyetje përgjigjet e para dhe japin këshillat e para.

E fundit, është disiplina e secilit për tu vetëkarantinuar. Dikush që vjen nga një zonë dhe këtë po e bën gjithë bota, prandaj e thashë dhe më parë, mbyllja e kufijve nuk është opsion dhe nuk çon asgjëkund në raport me virusin. Murtaja e shekullit të XV përfshihu gjithë globin dhe fshihu nga faqja e dheut miliona njerëz dhe nuk kishte as avion, as tren, as autobuzë, as makinë. Ajo që është e rëndësishme është të vetëkarantinohen dhe këtë po bën gjithë bota. Pra, dikush që vjen apo del nga një zonë e kuqe, duhet të vetëkarantioneht për të mirën e tij dhe të mirën e familjarëve dhe të tjerëve dhe i vetëkarantinuar mban kontakt me autoritetin përkatës shëndetësor.

Masat të thjeshta, kërkojnë vetëm pak disiplinë. Për sa i përket masave më komplekse të sistemit tonë, ato janë marrë, janë bërë dhe projeksionet me disa skenarë, duke u bazuar në statistikat e të gjitha vendeve dhe duke parë dhe në kohë reale të gjitha eksperiencat sepse OBSH, çdo ditë qarkullon informacion, nga të gjitha vendet, për çdo vend, për të parë si evolon. Ka rezultuar që maskat nuk i shërbejnë askujt, përveçse personelit shëndetësor që është drejtpërdrejtë në frontin e kurimit të rasteve dhe vetë personave, për të ndalur transmetimin nëpërmjet teshtimave, dhe kështu me radhë.

Pra, është e domosdoshme të ndiqen vetëm burimet zyrtare, vetëm këshillat që vijnë nga burimet e certifikuara. Ministria e Shëndetësisë, Task Forca dhe komunikimi i bazuar tek puna që bëhet intensivisht, nuk flasin as bazuar tek çfarë thonë mediat, as bazuar tek emocionet, flasin mbi bazën e linjës zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë e kjo është arsyeja pse janë burim i vetëm i referimit. Njerëzit duhet të jenë besimplotë që maksimumin kemi bërë e do bëjmë nga ana jonë e të gjithë duhet të jemi besimplotë se, siç kanë kaluar dhe të tjera gjëra, të vështira, siç kanë kaluar dhe epidemi të tjera, do të kalojë dhe kjo. Pa diskutim, se do ta kalomë sëbashku duke ruajtur qetësinë, duke ruajtur vetëpërmbajtjen e duke ruajtur komunikimin intensiv dhe duke bërë secili atë që na takon. Ne e dimë shumë mirë atë që na takon si qeveri. Struktura te angazhuara e dinë shumë mirë dhe nuk është vetëm Ministria e Shëndetësisë, por të gjitha ministritë e përfshira me njerëzit dhe strukturat e tyre.

Janë plotësisht të angazhuar dhe të gjithë ata njerëz janë të qartë se çfarë duhet të bëjnë në pjesën e tyre të frontit, kështu që duhet ta marrim këtë gjë me të gjithë seriozitetin e duhur, por dhe me gjithë qetësinë e duhur dhe besim. Nuk ka ardhur fundi i botës, nuk jemi të kërcënuar nga ndonjë murtajë që do na fshijë gjysmën nga faqja e duhet. Jemi përballë një situate kritike, por të administrueshme dhe për të cilën kemi çdo ditë e më shumë njohuri e çdo ditë e më shumë qartësi, e çdo ditë e më shumë bindjen se në fund të ditës, varet nga ne, nga të gjithë bashkë, si individë, si popull, që ta përballojmë me zërin e arsyes, jo me thirrjet e brendshme të ankthit apo të pasigurisë.

Faleminderit! ​

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA