
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka dhënë një mesazh për të gjithë gratë duke u uruar 8 Marsin.
Më tej Ruçi krahas urimit të tij për Ditën Ndërkombëtare të Gruas ka theksuar se kjo ditë duhet të jetë reflektim për të gjithë në mënyrë që të ketë emancipim shoqëror dhe gjinor.
Ndërkohë sipas Ruçit në indeksin e përgjithshëm të Barazisë Gjinore e kemi 7 pikë më poshtë se mesatarja e BE. Sipas tij Shqipëria ka ndeksin më të lartë gjinor se Be në fushën e qeverisjes.
“Sot mbushen 110 vjet nga festimi për herë të parë i Ditës Ndërkombëtare të Grave. Megjithë përpjekjet shekullore të njerëzimit, gratë dhe vajzat janë ende të diferencuara nga pjesa tjetër e shoqërisë. Krahas proceseve demokratizuese, shoqëria shqiptare është përfshirë gjatë dekadave të fundit në një proces emancipimi shoqëror e gjinor. Por emancipimi gjinor është ende prapa shkallës së demokratizimit të shoqërisë. Ne kemi rezultate më të larta se BE në indeksin gjinor në fushën e qeverisjes, por nuk mund të themi të njëjtin konstatim për aspektet e tjera të barazisë gjinore. Indeksin e përgjithshëm të Barazisë Gjinore e kemi 7 pikë më poshtë se mesatarja e BE. Barazia gjinore duhet të jetë në radhë të parë në aksesin në tregje dhe pjesëmarrjen ekonomike. Dhe pjesëmarrja ekonomike është në radhë të parë pjesëmarrja në forcën dhe në tregun e punës. Gratë dhe kanë akses të pamjaftueshëm në treg.
Segmentimi dhe segregimi gjinor në tregun e punës mbetet një problem për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. Shkalla e punësimit për gratë e vajzat është rreth 15 përqind më e ulët se e burrave, hendeku gjinor i pagave është në kufijtë 10 përqind. Gratë dhe vajzat janë më të privuara në akesin në burime, njohuri dhe shfrytëzimin e kohës si edhe pajtimin e veprimtarisë profesionale me jetën familjare. Dhuna ndaj grave e vajzave që konstatohet gjatë dekadave të tranzicionit ndodh për shkak të rigjallërimit të demonëve të vjetër autoritarist e maskilist, por edhe për shkak të edukimit, vëmendjes, kontrollit dhe më të pakët të shoqërisë. Këto çështje duhet të bëhen më shumë objekt i politikave, edukimit dhe ligjeve tona”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Top Channel