Mësuesit janë një pjesë e rëndësishme në jetën tonë, pasi me dijet e tyre dhe me profesionalizmin që kanë na drejtojnë drejt rrugës së gjatë dhe ndoshta të vështirë të njohjes së vetvetes dhe realizimit të ëndrrave. Dashuria dhe përkushtimi i palodhur i mësuesve ndaj nxënësve ishte në qendër të historisë që çeli puntatën e mbrëmjes së sotme të programit “Dua të të bëj të lumtur”.
Kjo ishte historia e mësuese Rilindja e cila ishte ftuar në program nga dy ish-nxënëset e saj, Matilda dhe Esmeralda. Motrat kishin zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” për të falenderuar mësuesen për dashurinë dhe përkushtimin që kishte shfaqur ndaj vëllait të tyre të ndjerë, Edlirit.
Edliri në fëmijëri ishte prekur nga poliomeliti dhe fatkeqësisht kishte mbetur i paralizuar. Familja e tij kishte insituar që ai të shkollohej, por askush nuk e kishte marrë përsipër, derisa mësuese Rilindja ishte njohur me rastin e tij. Ajo kishte këmbëngulur që Edliri të ndiqte shkollën si të gjithë bashkëmoshatarët e tij dhe kishte marrë përsipër edukimin e tij.
Matilda dhe Esmeralda rrëfyen në studio se mësuese Rilindja e kishte përkrahur dhe ishte përkujdesur gjithmonë për Edlirin deri në ditën që ai kishte ndërruar jetë. “Ke qenë më shumë se një mësuese për ne, ti ke qenë një nënë e dytë. Faleminderit për gjithçka që ke bërë për ne dhe për Edin!” ,- ishte mesazhi i motrave për mësuesen.
Ndërkohë nga ana tjetër, mësuesja u shpreh se Edliri kishte qenë një nxënës dhe djalë i rrallë dhe se i mungonte shumë.
Top Channel