Norvegjia po riarmatoset, blen dy nëndetëse dhe raketa me rreze të gjatë veprimi
Gjykata Penale Ndërkombëtare vendosi të enjten pro vazhdimit të një hetimi mbi dyshimet për krime të kryera nga palë të ndryshme gjatë luftës në Afganistan. Vendimi u kritikua nga SHBA. “Ky është një veprim befasues nga një institucion jo përgjegjës për pasojat, që pretendon të jetë një organ juridik”, u tha zoti Pompeo gazetarëve në Uashington disa orë pas vendimit. “Sot gjykata pohoi çdo denoncim të bërë nga kritikët e saj më të ashpër”, shtoi ai.
Vendimi Gjykatës Penale Ndërkombëtare rrëzon vendimin e një gjykate më të ulët, e cila vitin e kaluar i bllokoi përpjekjet për hetime. Vendimi i së enjtes i hap rrugë prokurorit Fatou Bensouda të shqyrtojë veprimet e forcave amerikane, punonjësve të CIA-s, kryengritësve talebanë, forcave afgane qeveritare si dhe grupeve të tjera të armatosura, gjatë konfliktit në Afganistan që nisi në vitin 2001. Zoti Bensouda ka kërkuar kryerjen e hetimeve zyrtare lidhur me dyshime për veprimtari kriminale që nga viti 2017.
Uashingtoni nuk e njeh këtë gjykatë dhe e ka kundërshtuar autoritetin e saj mbi qytetarët amerikanë. Afganistani ndërkohë është anëtar i Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Sipas zotit Pompeo vendimi bëhet edhe më i nxituar pasi vjen disa ditë nga marrëveshja historike e paqes që Shtetet e Bashkuara nënshkruan për Afganistanin. “Vetë qeveria afgane i kërkoi gjykatës që të mos ta ndërmarrë këtë kurs, por politikanët e kësaj gjykate kishin qëllime të tjera”, tha zoti Pompeo.
“Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtare të gjykatës dhe do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur qytetarët tanë nga ky institucion i paligjshëm që pretendon të jetë gjykatë”, tha ai./VOA
Top Channel