Këshilli politik, do të mblidhet nesër. I formuar me përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare, drejtuesve të komisionit të reformës zgjedhore dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare në parlament fokusin e ka te Reforma Zgjedhore.
Pjesë e kësaj tryezë është edhe deputetja Rudina Hajdari, e cila në prag të mbledhjes së kësaj tryeze ka folur në Top Talk me gazetarin Denis Dyrnjaja.
Ajo foli gjatë për këtë tryezë si dhe pjesëmarrjen dhe rolin e opozitës jashtë parlamentit në këtë tryezë, ku ndër të tjera tha: “Edhe opozita jashtë parlamentit duhet të luajë një rol në këtë gjë , por jo me kërkesa bllokuese. Pra të gjithë duhet të lëshojnë dhe të marrin. Dua të theksoj që kjo tryezë nuk mund të jetë një mënyrë thjesht për të marrë kërkesat e opozitës jashtëparlamentare, ndërkohë që të gjitha këto do ndodhin në kurrizin e sakrificën e shumë deputetëve që janë në atë parlament.
Hapja e listave, ndryshimi i sistemit nuk është një gjë që mirëpritet nga forcat kryesore të partive. Unë e di që ndryshimi nuk është një gjë e mirë për ta, duke parë mënyrën sjelljen politike këto 30 vitet e fundit. Marrëveshjet janë bërë në kurriz të shqiptarëve.
Kësaj radhe ajo që po them është se nëse vërtet duam të zbatojmë Kushtetutën, të ndryshojmë sjelljen politike, përfaqësimin në Kuvend ne duhet të ndryshojmë sistemin, sepse ky aktual ka goxha anë negative që kanë dëmtuar demokracinë”.
Por çfarë do të kërkojë nesër në atë tryezë Hajdari?
“Unë do propozoj tre propozime të ndryshme që kanë ardhur: një propozim për sistemin proporcional kombëtar me lista të hapura, një propozim që vjen me sistemin proporcional rajonal me korrektim kombëtar, dhe një tjetër që është po ai që është sot, por me grupime rajonesh, të kemi 4 grupime rajonesh, 4 zona elektorale, por edhe këto me lista të hapura”.
Thelbi janë lista e hapura, sepse shpjegoi Hajdari : Ne duam që të krijojmë një lloj sistemi i cili është më i përafërt me sistemin maxhoritar, në kuptimin që përfaqësuesi të jetë pak më i lidhur me atë që e voton dhe kjo zbaton edhe nenin 2 të Kushtetutës. Sovraniteti i popullit duhet të jetë i përfaqësuar në atë kuvend.
Besoj se kjo lloj risie me listat e hapura do ishte hap i duhur për Shqipërinë për të patur një demokraci funksionale, e cila ka patur një mbytje nga mënyra se si ka funksionuar politika.
Top Channel