Në këto momente, në një nga hotelet e njohura në kryeqytet, përfaqësues diplomatikë të vendeve të BE-së, Britanisë së Madhe, Zvicrës, SHBA-së, OSBE-së dhe ODIHR-it po zhvillojnë një takim me dyer të mbyllura, për të mësuar nga përfaqësuesit politikë progresin e bërë deri më tani, sa i takon reformës zgjedhore.
Gjatë fjalës së tij, anëtari i Këshillit Politik në Tryezën e Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi u shpreh se zgjedhjet kanë arritur nivelet më të ulëta në raport me standardet e OSBE-së.
“Nëse në 2009-n zgjedhjet arritën shumicën dërrmuese të standardeve të OSBE-së, nga 2015-2019 raportet e ODIHR-it kanë si shqetësim prioritar shkeljen e standardeve bazë; lirisë dhe sekretit të votës, shitblerjen e votës, lirinë nga frika e ndëshkimit, ndarjen e shtetit nga partitë dhe fushën e barabartë të lojës. Produkt i këtyre standardeve të dhunuara është parlamenti i dalë nga votat e blera dhe të dhunuara në 2017-n dhe pushteti vendor i emëruar nga kryeministri në të gjitha bashkitë, emërim i ratifikuar me votim monist”, deklaroi Bylykbashi.
Më tej shtoi:
“Legjitimiti i parlamentit dhe pushtetit vendor, dy mbajtësve të përfaqësimit demokratik me votë, nuk është thjesht i minuar, ai thjesht nuk ekziston. Parimet që kane dështuar në zgjedhje janë parime kushtetuese. Dhunimi i tyre masiv, në çdo vend normal do të çonte në anulim të zgjedhjeve nga Gjykata Kushtetuese dhe sistemi gjyqësor. Por në Shqipëri asnjë gjykatë nuk egziston apo nuk është e lirë nga presioni. Këtë e thotë ODIHR-i. Rënia e kësaj garancia nuk është vetëm rënie e shtetit të së drejtës, por e demokracisë përmes zgjedhjeve.”
Top Channel