Forca të shumta të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat kanë intensifikuar ditën e sotme kontrollet, duke blinduar rrugët nacionale në dalje të Beratit.
Postblloqet policore janë ngritur paralelisht në disa pika në aksin nacional Berat-Tiranë, ku janë pozicionuar postblloqe me forca të shumta policore, ku pjesë e të cilëve janë bërë të gjithë sektorët e kësaj drejtorie, duke filluar që nga inspektorët e krimeve e deri tek ata të qarkullimit rrugor.
Masat e ndërmarra nga DVP Berat, sipas policisë, kanë si qëllim kapjen e personave në kërkim, uljen e kriminalitetit dhe rritjen e sigurisë rrugore, ndërkohë që më herët kryetari i PD Berat, Gazmend Azizi, denoncoi këtë aksion policor si një presion policor ndaj automjeteve që po nisen drejt protestës së sotme në orën 17:00 në Tiranë. Në të gjitha automjetet që janë ndaluar në këto postblloqe janë bërë kontrolle të imtësishme për drogë e armë, ndërkohë që janë kontrolluar edhe personat që drejtonin automjetet, nëpërmjet identitetit të tyre, për të verifikuar nëse janë apo jo persona në kërkim policor në Berat a në qytete të tjera.
Gjatë kontrolleve policia ka verifikuar edhe dokumentacionet e mjeteve si dhe lejet e drejtimit. Kontrolleve të policisë nuk i kanë shpëtuar as pasagjerët brenda mjeteve që qarkullonin në rrugë,të cilët janë nxjerrë jashtë dhe janë kontrolluar fizikisht.
Top Channel