Presidenti Ilir Meta gjatë protestës së thirru nga vetë ai kundër mazhorancës, ka firmosur edhe një dekret që sipas tij është kundër ligjit të mazhorancës për t’i hequr kompetencën për betimin e gjyqtarëve të rinj kushtetues.
Ai më pas i është përgjigjur thirrjes së qytetarëve që i kërkonin të shpërndante parlamentin duke thënë se edhe kjo do të ndodhë por në një moment të dytë.
Meta paralajmëroi se nëse mazhoranca nuk merr parasysh dekretin e firmosur sot për ndryshimin e ligjit për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, atëherë më do të firmosë dekretin për shpërndarjen e Parlamentit në mes të Parlamentit. Për këtë veprim të tij Meta shtoi se do presë deri më 15 mars, kur pritet që palët politike të miratojnë Reformën Zgjedhore, më pas sipas tij, nëse mazhoranca nuk reflekton do të firmosë për shpërndarjen e Parlamentit madje për këtë presidenti u betua para mijëra qytetarëve të mbledhur në shesh.
“Jam i lumtur se kushtetuta e popullit ka sot në këtë shesh popullin e kushtetutës. Përpara se të firmos dekretin kundër ligjit antikushtetues për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. kush është pro ju lutem të ngre dorën. Rroftë Republika, rroftë shteti i republikës. Këtu ka një kërkesë tjetër, nuk kënaqen me kaq. Duan që sot shpërndarjen e parlamentit puçist. Liri, demokraci. Më duhet të firmos këtë dekret dhe do të kthehem përsëri këtu për atë dekretin tjetër që e brohoritët me shumë se ky”, tha Meta.
“Nëse grushti i shtetit, organizata mafioze ndërkombëtare, nuk e merr seriozisht këtë dekret, unë e jap fjalën, në emër të këtij flamuri, për të cilin janë vrarë mijëra e mijëra dëshmorë e heronj, se pas datës 15 mars, kur të përfundojë Reforma Zgjedhore, që është një kusht, populli kuqezi që votoi sot për vdekjen e grushtit të shtetit, unë Ilir Meta betohem se atë dekret nuk do ta firmos këtu, por në mes të Parlamentit, atje, në mes të krimit. Unë i pari dhe gjithë populli kuqezi, jemi populli që vuajtëm më shumë se kushdo komunizmin, jemi një popull që jetën e japim, demokracinë jo.“ shtoi Meta.
Top Channel