“Sami Frashëri” do shembet/ U dëmtua në 26 nëntor, struktura s’i bën ballë një tërmeti tjetër

01/03/2020 20:21

Gjimnazi “Sami Frashëri” në Tiranë, pësoi dëmtime serioze, si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit të vitit të shkuar.

Sot ndërtesa është e boshatisur dhe 1450 nxënësit janë shpërndarë në dy shkolla të tjera. Ata e zhvillojnë prej 3 muajsh mësimin përgjatë turnit të pasdites.

Në përgjigjen e kthyer nga ana e Bashkisë së Tiranës në lidhje me këtë shkollë thuhet se, shkolla “Sami Frashëri” është ndërtuar që në vitet ’60. Struktura, kolonat dhe themelet janë po ato, e për rrjedhojë janë amortizuar me kalimin e viteve. Sipas ekspertëve të Institutit të Ndërtimit, tërmeti i 21 shtatorit, si dhe tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit, kanë shkaktuar dëme të mëdha në strukturën mbajtëse dhe për këtë arsye kanë dalë në përfundimin se shkolla, pra themelet dhe struktura e saj, nuk do t’i bënte ballë një tërmeti tjetër të ngjashëm me dy të parët.

Prandaj, Bashkia e Tiranës ka vendosur rindërtimin nga e para të shkollës, për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për nxënësit e saj. Shkolla e re “Sami Frashëri” do të ndërtohet më e madhe dhe me cilësi shumë herë më të mirë, me kushte moderne për nxënësit, e gjithashtu do të funksionojë si një shkollë me një turn, thuhet në përgjigje. Koha se kur do të realizohet shmbja dhe kur do të jetë gati ndërtesa e re, do të qartësohet, pasi Bashkia të ketë një projekt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA