Në Gjykatën e Përmetit po vijon që prej mesditës seanca për dhënien e masës së sigurisë për 30 të arrestuar të operacionit “Mezhgorani”.
Fillimisht gjyqtari i çështjes, Dritan Hasani deklaroi në seancë konfliktin e interesit në raport me një prej të akuzuarve. Betim Shkupi i ndaluar dje sipas gjyqtarit ka qenë shok klase me të. Pas një pushimi 1 orë u vendos që masa e sigurisë për Shkupin të jepet të hënën nga një gjyqtar tjetër dhe të ndahet nga seanca për të akuzuarit e tjerë.
Prokurori Asllan Bajramaj kërkoi masën e sigurisë burg pa afat për 27 të pandehur përfshi edhe botuesin Henri Çili, ndërsa kërkoi të mbeten në arrest shtëpie 2 nga 3 gratë e ndaluara prej këtij operacioni, Shpresa Gjoçi dhe Klea Pllumi. Avokati i Henri Çilit, Andi Duraj tha se edhe gjatë mbrojtjes janë mohuar akuzat ndaj Çilit, ndërsa është kërkuar kohë për të siguruar prova për pafajësinë e tij.
Aktualisht është dëgjuar mbrojtja për pjesën më të madhe të të ndaluarve dhe ne fund, gjykata do të tërhiqet për të marrë vendim. Ndërkohë, avokatët pretendojnë se akuzat nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe se të pandehurit duhej të ishin proceduar veçmas.
Top Channel