Propozimet e demokratëve për rishikimin e rolit të prokurorisë në zgjedhje dhe kalimin e hetimit të korrupsionit zgjedhor si pjesë e kompetencave të SPAK, u panë me rezerva nga socialistët, të cilët i kërkuan menjëherë mendim Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Cela.
Top Channel ka siguruar përgjigjen e numrit 1 të organit të akuzës për komisionin e reformës zgjedhore, mbi propozimet ligjore të demokratëve, për të cilat sugjeron rishikimin e tyre.
Organi i akuzës pranon hetimin e krimeve aktive e pasive elektorale nga organet e reja të drejtësisë, por kërkon riformulim të dispozitës sa i takon kalimit të hetimeve nga një Prokurori në tjetrën në përputhje me parashikimet kushtetuese. Kryeprokurori gjithashtu, vlerëson se ai nuk mund të udhëzojë prokuroret për ngritjen e grupeve hetimore për krimet elektorale 2 javë para datës së zgjedhjeve, ashtu sikurse kërkon PD, pasi cënohet pavarësia e institucioneve hetimore.
Edhe propozimi për raportimin e Prokurori i Përgjithshëm përpara Kuvendit mbi situatën e kriminalitetit 3 muaj nga përfundimi i periudhës zgjedhore, shihet me rezerva nga organi i akuzës për sa kohë ka raportimeve vjetore te tij në Parlament.
Puna për ndryshimin e kodit elektoral ka arritur në një fazë të rëndësishme. Dy javë nga miratimi në Parlament, palët duhet të ruajnë ekuilibrat e brishtë të tryezës politike, si dhe të arrijë dakordësinë për ndryshimin e sistemit zgjedhor, rolin e prokurorisë në hetimin e krimeve zgjedhore dhe pezullimi nga vetingu te gjyqtarëve, të cilët duhet të vendosin për ankimimet zgjedhore.
Top Channel