Pamjet tronditëse tregojnë momentin kur Alexandër Burlakov nga Ukraina i vendos flakën vetes përpara godinës së Parlamentit në Kiev. Ngjarja ndodhi në momentin kur para institucionit shtetërorë ishin grumbulluar një grup i konsiderueshëm punonjësish mjekësor, të cilët ndodheshin aty për të protestuar në lidhje me përmirësimin e kushteve të punës.
Në momentin që turma pa Alexandrin të mbuluar tërësish nga flakët, u drejtuan me shpejtësi drejt tij për t’i ardhur në ndihmë. Ndërhyrja e tyre rezultoi efikase, pasi arritën që të shuanin flakët në trupin e burrit.
Ndonëse fillimisht u raportua se një infermier i revoltuar vendosi të vetëflijohej, më vonë u mësua se Alexandër nuk ishte punonjës mjekësor, por një burrë i cili prej vitesh kishte probleme për një pronë.
“Veprimi im nuk ka lidhje me protestën. Prej pesë vitesh jam duke u munduar për të zgjidhur problemin që kam me një pronë. Autoritetet lokale vazhdimisht më gënjejnë, të gjithë po na gënjejnë. Nuk po shoh asnjë rrugëdalje. Në jetën time si kam bërë askujt keq. Thjesht kam nevojë që dikush të më dëgjojë” ka deklaruar Burlakov nga shtrati i spitalit.
Ndërkaq, kabineti i presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se Alexandër Burlakov ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe se personalisht presidenti do të merret me problemin e tij të pronësisë.
Top Channel