Të drejtat e njeriut parandalojnë konfliktet dhe sigurojnë paqen

29/02/2020 05:51

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas, kërkon të rrisë bashkëpunimin e organeve të OKB në interes të të drejtave të njeriut. Mbrojtja e të drejtave të njeriut duhet të parandalojë konfliktet.

Për Gjermaninë të drejtat e njeriut, multilaterizmi dhe e drejta ndërkombëtare janë përgjigjet për sfidat aktuale të sigurisë dhe paqes në botë. Që prej një viti Gjermania mban anëtarësinë e përkohshme në Këshillin e Sigurimit të OKB që mblidhet në Nju Jork dhe duke filluar nga 1 janari, ka nisur anëtarësinë dyvjeçare në Këshillin për të drejtat e njeriut, me seli në Gjenevë. Kështu Gjermania ka parë se Nju Jorku dhe Gjeneva nuk flasin gjithnjë me të njëjtin zë kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut. Prandaj “jemi duke punuar që ta ndryshojmë këtë gjë”, thotë ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas.

Ministri Maas e nisi këtë javë në Gjenevë me sesionin e 43 të Këshillit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe e përfundoi në Nju Jork, me një aktivitet për të drejtat e njeriut. Aty ai kërkoi “që të luftojmë reduktimin e të drejtave të njeriut”, sepse ministri Maas është i bindur se vala e shkeljeve të të drejtave të njeriut është duke u shtuar. Push back the pushback, ishte motoja e tij, që u përsërit disa herë në anglisht. Reduktim i të drejtave po shihet sidomos në të drejtat e grave, të drejtat e vetëvendosjes të grave, të drejtat seksuale dhe ato të riprodhimit.
Gjermania kërkon të luajë rolin e avokatit mbrojtës duke organizuar takime, diskutime dhe aktivitete kushtuar të drejtave të njeriut. Si dhe kërkon të vendosë të drejtat e njeriut në qendër të paqes dhe sigurisë. Sepse “të drejtat e njeriut dhe paqja janë dy anët e të njëjtës medalje”, thotë ministri Maas. Të drejtat e njeriut duhen zgjeruar me fushat e reja të mbrojtjes së klimës dhe teknologjisë.

Të drejtat e njeriut dhe mënyra si trajtohen ato janë një nga pikat kryesore që ndajnë mbështetësit e multilateralizmit dhe të atyre, që i shohin të drejtat e njeriut si çështje e sovranitetit të secilit vend. Volker Türk, asistent për koordinimin strategjik i Sekretarit të Përgjithshëm, thotë se „shpreson që kjo të kapërcehet, sepse sovraniteti i një vendi bazohet në principet e të drejtave të njeriut“. Ai thekson se të drejtat e njeriut duhet të jenë temë e të gjitha institucioneve dhe organizmave të OKB, pavarësisht se Këshilli i të drejtave të njeriut është organi kryesor që trajton të drejtat e njeriut.

Të drejtat e grave – Realiteti nuk ka ndryshuar

“Kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut, ne e dimë shumë mirë ku kemi përparuar në të drejtat e grave dhe ku ka ende shumë punë për të bërë,” thotë Asa Regner, zëvendësshefe e UN-Women, një organ i OKB krijuar në vitin 2010 për barazinë e të drejtave dhe fuqizimin e grave. Në edukimin e vajzave dhe uljen e mortalitetit të foshnjeve janë bërë përparime. Po ashtu në shumë vende është përmirësuar ligji për të luftuar dhunën kundër grave, për të luftuar gjymtimin gjinor të vajzave, ose për të përmirësuar të drejtat e etërve për të kaluar më shumë kohë me fëmijët.

Në përgjithësi janë bërë reforma ligjore për mbrojtjen e të drejtave të grave, thotë Regner, por “për fat të keq, ne nuk jemi duke parë zbatimin e reformave, që të jemi në gjendje të themi se realiteti ka ndryshuar”. Sa i përket pjesëmarrjes politike “75 përqind e parlamentarëve në botë janë burra”, gjë që nuk ka ndryshuar në 15 vitet e fundit. Pjesëmarrja e gruas në tregun e punës po ecën shumë ngadalë. “Prandaj ka ende shumë për të bërë,” thotë Regner, përndryshe synimet e zhvillimit të qëndrueshëm nuk do të arrihen.

Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare, thotë se “Shqipëria promovon idenë se informimi për të drejtat e njeriut është shumë i rëndësishëm kur kemi të bëjmë me çështjet e sigurisë dhe paqes”. Shqipëria mbështet rritjen e numrit të takimeve informuese të Këshillit të Sigurimit, i cili duhet t’ i shfrytëzojë më mirë informacionet për të drejtat e njeriut.

James Roscoe, nga Misioni i përhershëm i Mbretërisë së Bashkuar në OKB mendon se sfida më e madhe nuk janë ndryshimet midis Nju Jorkut dhe Gjenevës, “por ndryshimet në rritje dhe ndarja e vizioneve në interpretimin e të drejtave bazë të njeriut, gjë që jemi duke parë përditë”. Roscoe thotë se më shumë duhen identifikuar dhe duhen përmendur shkeljet dhe shkelësit e të drejtave të njeriut.

“Duhen kapërcyer ndryshimet në interpretimin e të drejtave të njeriut, duke vënë qytetarët në rang të parë dhe duhen hequr dorë nga relativizimi që dëgjojmë tek OKB nga shtetet anëtare”, theksoi Roscoe. Por më e rëndësishme është që “të fitojmë gjatë argumentimit se pse vlejnë të drejtat e njeriut, pse funksionojnë dhe pse na ndihmojmë të arrijmë së bashku synimet që i kemi venë vetes për zhvillimin e qëndrueshëm”. /DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA