Një grua në shtetin e Uashingtonit ka vdekur nga koronavirusi duke shënuar rastin e parë të vdekjes në SHBA. Lajmi u njoftua të shtunën nga zyrtarët e shëndetit publik. Ata nuk dhanë shumë detaje ndërsa paralajmëruan një konferencë për shtyp më vonë gjatë ditës.
Të premten Shtetet e Bashkuara raportuan rastin e katërt me koronavirus për të cilat autoritetet thonë se nuk janë ende të qartë mbi mënyrën e infektimit të tyre.
Rasti më i ri u konfirmua në shtetin e Uashingtonit. Autoritetet në Oregon njoftuan gjithashtu të premten për një pacient i cili sipas tyre dyshohet se mund të jetë bartës i virusit, dy rastet e tjera janë identifikuar në Kaliforni.
Prej së shtunës herët në mëngjes në SHBA numërohen të paktën 67 raste të konfirmuara me COVID-19, pjesa më e madhe e të infektuarve janë pasagjerë të rikthyer në atdhe nga anija kruz “Diamond Princess”, e cila u vendos për disa ditë në karantinë në brigjet e Japonisë.
Koronavirusi u përhap të premten edhe në shtatë vende të tjera të botës duke bërë që Organizata Botërore e Shëndetësisë të rrisë alarmin e rrezikut në nivelin më të lartë.
Meksika, Nigeria, Zelanda e Re, Lituania, Bjellorusia, Azerbajxhani dhe Islanda raportuan rastet e tyre të para me virus të premten.
Tashmë numri i vendeve të goditura nga COVID-19 ka arritur në rreth 60.
Koreja e Jugut vendi i goditur pas Kinës, raportoi të shtunën numrin më të madh të të prekurve në një ditë, gjithsej 813 raste të reja. Kjo e rrit totalin e personave të prekur nga koronavirusi në 3.150. Irani konfirmoi 593 raste dhe 43 vdekje, numri më i lartë i vdekjeve jashtë territorit kinez.
Në të gjithë botën, virusi ka vrarë më shumë se 2.900 persona ndërsa rezultojnë mbi 85 mijë raste personash të infektuar prej tij./VOA/
Top Channel