Shtetet e Bashkuara dhe talibanët kanë nënshkruar marrëveshjen historike, që synon t`i japë fund një herë e mirë konfliktit në Afganistan. SHBA-ja është pajtuar të tërheqë trupat nga Afganistani brenda 14-muajsh, nëse militantët talibanë i përmbahen marrëveshjes.
Aktualisht, në Afganistan janë 13 mijë trupa amerikane. Talibanët nga ana tjetër janë zotuar të zhvillojnë bisedime direkte me qeverinë në Kabul. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompoe dhe liderët talibanë, ishin të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në Doha të Katarit.
“Ky është ende fillimi”, tha Pompeo para nënshkrimit të ujdisë.
” Por ulja e konsiderueshme e dhunës do të krijojë kushte për paqe”, shtoi ai.
Kreu I diplomacisë amerikane theksoi se afganët duhet të jetojnë në paqe dhe prosperitet dhe të respektojnë të drejtat e grave, ndërsa SHBA-ja duhet të sigurohet se nuk do të ketë kërcënim terrorist nga ky vend.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes megjithatë, Mark Esper tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të hezitojnë ta anulojnë marrëveshjen, nëse talibanët nuk i përmbahen asaj. Nënshkrimi i marrëveshjes vjen një javë pasi forcat e udhëhequra nga Amerika dhe talibanët u pajtuan që të reduktonin dhunën. Pushtimi i Afganistanit nga Shtetet e Bashkuara ndodhi disa javë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA.
Pas ngjarjes që tronditi botën, presidenti I atëhershëm amerikan George W.Bush urdhëroi fushatën e bombardimeve dhe pushtimit të Afganistanit.
Top Channel